Site icon Telegrafi

Shqipëria ndryshoi planin për Kosovën rreth vaksinave antiCovid, flasin nga Ministria e Shëndetësisë

Shqipëria ka ndryshuar qëndrim sa i përket dhurimit të vaksinave antiCovid për Kosovën. Edhe pse kreu i Qeverisë së Shqipërisë, Edi Rama kishte deklaruar se do të mbështesin Kosovën me vaksinat kundër virusit, së fundmi ai ka pohuar se ky plan ka ndryshuar, dhe se mund të vaksinojnë vetëm 50 doktorë nga Kosova.

Rama madje ka pohuar se doktorët nga Kosova duhet të shkojnë në Shqipëri për tu vaksinuar.

Lidhur me këtë temë, Telegrafi ka kontaktuar me Ministrinë e Shëndetësisë në Kosovë, për të kuptuar nëse është bërë përzgjedhja e doktorëve që do të marrin vaksinën antiCovid.

MSH pohon se ende nuk ka bërë ndonjë përzgjedhje, ndërkohë shprehet falënderuese ndaj Shqipërisë.

“Ministria e Shëndetësisë e Kosovës ka falënderuar shtetin shqiptar për gatishmërinë për të ndihmuar në fushatën e vaksinimit kundër COVID-19. MSh është në kontakt me autoritetet shqiptare dhe për çdo veprim, publiku do të informohet me kohë”, thuhet në përgjigjen e dhënë nga MSH.

Sa i përket vaksinave antiCovid që Ministria e Shëndetësisë ka siguruar për qytetarët e Kosovës, MSH thotë se se janë duke bërë përgatitjet e duhura për të ruajtur vaksinat antiCovid, sapo ato të arrijnë.

“Në ndërkohë, Komiteti për imunizim kundër COVID-19 në Kosovë ka hartuar Planin e Imunizimit kundër COVID në Kosovë, duke bërë gati infrastrukturën e nevojshme dhe siguruar Zinxhirin e ftohtë të ruajtjes së vaksinave (deri në -70 gradë celsius) dhe duke përgatitur kapacitet njerëzore që do të kryejnë vaksinimin. Së fundi, dje është bërë e ditur nga mekanizimi COVAX se 100 800 (Astra Zeneca) vaksina pritet të arrijnë në Kosovë gjatë shkurtit për të filluar me vaksinim”, thotë MSH.

Tutje, në përgjigje thuhet se “MSh dhe institucionet e tjera shëndetësore janë duke u përgatitur për fushatën e vaksinimit kundër COVID-19 që pritet të nis gjatë këtij muaji në Kosovë”.

Ndryshimi i planit për vaksinat antiCovid, po shihet si diçka joserioze nga Federata e Sindikatave të Shëndetësisë.

Blerim Syla nga Federata e Sindikatave të Shëndetësisë thotë se kërkesa e Ramës për dërgimin e 50 mantel bardhëve në Tiranë për vaksinim nuk është serioz.

“Nëse do të isha pyetur si kryetar i Federatës do të jepja një përgjigje negative për Ramën. Nuk jemi kundër vaksinimit por nuk mund të bëjmë diferencime e në mesin e 14 mijë punëtorëve të shëndetësisë t’i zgjedhim 50 e t’i vaksinojmë. Kjo nuk është serioze. Nëse duan të na ndihmojnë si duhet e jo të bëhen marketingje politike”, ka theksuar Syla.

Ndryshe, kryeministri Edi Rama ditë më parë ka deklaruar se se Qeveria e Shqipërisë nuk do të mund të dërgojë doza në Kosovë, siç ishte premtuar.

“Kemi marrë një zotim për të ndihmuar Kosovën, por dua të sqaroj që rregullat tejet strikte dhe kufizimet jashtëzakonisht të forta që kompania Pfizer ka vendosur, siç kanë bërë nga njëra ana që ne të mbetemi strikt për origjinën e vendin nga ku filluam fushatën e vaksinimit e bëjnë të pamundur që ne të dhurojmë doza vaksinash. Por, ama nuk e bëjnë të pamundur që ne të ofrojnë vaksinimin për një numër mjekësh dhe infermierësh nga spitali COVID-19 i Prishtinës siç e kemi premtuar. I kam kërkuar ministres së Shëndetësisë që të komunikojë me homologun kosovar dhe jemi të gatshëm për 50 bluza të bardha për të dyja dozat”, kishte pohuar ai.

Telegrafi ka dërguar disa pyetje edhe në Ministrinë e Shëndetësisë në Shqipëri, për të kuptuar pse është bërë ky ndryshim plani, mirëpo deri në këto momente nuk ka pranuar përgjigje.

Ndryshe, në 24-orët e fundit në Kosovë janë konfirmuar 318 raste të reja me coronavirus, kurse numri i viktimave ka arritur në 1 mijë e 514. /Telegrafi/

Exit mobile version