Telegrafi

Ministria e Shëndetësisë bën thirrje për vaksinim me dozën e tretë

Ministria e Shëndetësisë ka aprovuar ditë më parë dhënien e dozës së tretë të vaksinës kundër COVID-19 edhe për personat mbi 12 vjeç, të cilët kanë marrë dozën e dytë të vaksinës kundër COVID-19 së paku pesë muaj më parë.

Përmes një njoftimi në Facebook, ministria u ka bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen pa hezitim.

Në njoftim thuhet se vaksinimi kundër COVID-19 vazhdon të kryhet në njësitë e vaksinimit në kuadër të Kujdesit Parësor Shëndetësor nëpër komunat e Kosovës.

“Vaksinimi është dëshmuar të jetë mënyra më e mirë dhe më efikase për të parandaluar infeksionin nga COVID-19, format e rënda të sëmundjes dhe vdekjet nga COVID-19”, thuhet në apelin e MSH-së.

Ndryshe, prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.830.405 doza të vaksinës.

823.674 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.

Deri më sot, sipas MSH-së janë dhënë 103.145 doza përforcuese dhe doza të treta të vaksinës kundër COVID-19. /Telegrafi/