Site icon Telegrafi

Ministria e Shëndetësisë apel qytetarëve: Kujdes, rezultatet e sotme të COVID-19 janë inkurajuese

Ministria e Shëndetësisë e sheh si një rezultat premtues numrin më të vogël të rasteve që kanë rezultuar sot pozitive (6 raste pozitive nga 294 mostra të analizuara) për SARS-COV-2 nga ana e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.

Po ashtu, MSH e sheh këtë rezultat si një tregues se situata rreth pandemisë COVID-19 është nën kontroll në Kosovë, pavarësisht lehtësimit të masave.

“MSh u bën thirrje qytetarëve të Kosovës që të vazhdojmë me disiplinë të lartë në zbatimin e masave të ndërmarra nga Qeveria e vendit dhe rekomandimeve të IKSHPK, me qëllim që të parandalohet përhapja e virusit. Gjithashtu, MSh u bën thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm në zbatimin e masave mbrojtëse si bartja e maskave, ruajtja e distancës sociale e fizike dhe mirëmbajtjen e higjienës individuale e kolektive”, thuhet në komunikatën për medie të MSH-së.

Ministria e Shëndetësisë po ashtu, ka rikujtuar se kujdesi në ushtrimin e veprimtarive të hapura duke iu përmbajtur rekomandimeve të IKSHPK-së është jetik në parandalimin e shtimit të rasteve me Covid-19 që do të ishte një barrë e madhe në këtë kohë edhe për personelin dhe infrastrukturën shëndetësore si dhe kthim prapa në progresin e shënuar.

“U bëjmë thirrje qytetarëve që të mos shpërfillin masat e marra dhe të vazhdojmë së bashku me kujdes të shtuar dhe vet disiplinë për të ruajtur shëndetin e njëri-tjetrit, shëndetin e qytetarëve tanë”, thuhet tutje në komunikatë.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar se pas testeve të kryera, sot janë raportuar gjashtë raste të personave të infektuar me coronavirus.

Lexo po ashtu Sot, vetëm gjashtë raste me COVID-19 në Kosovë

Sipas ISHPK, nga komuna e Prishtinës janë 3 raste dhe nga një rast në Mamushë, Vushtrri dhe Gjilan./Telegrafi/

Exit mobile version