Site icon Telegrafi

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës hap konkurs të brendshëm për misionet diplomatike

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka shpallur konkurs të brendshëm, ku diplomatët mund të kandidojnë për të shkuar në njërën nga misionet diplomatike të Kosovës.

Kjo është bërë e ditur nga Kreshnik Ahmeti, shef i kabinetit të ministrit në detyrë, Glauk Konjufca.

“Për herë të parë që nga themelimi i MPJ-së, sot është shpallur konkursi i brendshëm ku diplomatët tanë mund të kandidojnë për t’u dërguar në njërën nga misionet diplomatike të Republikës sonë. Gara e brendshme dhe procedurat transparente do të garantojnë përzgjedhjen më të mirë të mundshme të diplomatëve, të cilët do t’i zgjerojnë e thellojnë raportet me vendet e tjera dhe do t’i mbrojnë interesat e Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare”, ka shkruar ai në profilin e tij zyrtar në Facebook, përcjell Telegrafi.

Ahmeti ka pohuar se tash e tutje do të ketë procedura transparente.

“Më nuk ka dërgime në misione e gradime të diplomatëve të cilat bëhen me arbitraritet e në tavolinë të Ministrit. Tash e tutje do të ketë procedura transparente, me kritere objektive dhe rezultate të drejta dhe meritore”, thotë Ahmeti.

Ndryshe, para disa javësh ministri Konjufca kishte liruar nga detyra 14 konsuj./Telegrafi/

Exit mobile version