Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) dhe Ministria e Shëndetësisë (MSh) përmes një komunikate të përbashkët kanë bërë thirrje që organet e hetuesisë të punojnë për zbardhjen e rastit të vdekjes së Agon Musliut, në mënyrë që procesi të përmbyllet sa më shpejt dhe njëkohësisht shprehin gatishmërinë e tyre që të bashkëpunojnë me organet përkatëse.
Pasi këto dy ministri i kanë shprehur ngushëllime familjes dhe të afërmëve të ndjerit Agon Musliu, në komunikatë thuhet se “pas rastit tragjik, MSh, ka kërkuar raporte me shkrim nga zyrtarë, profesionistë dhe ekipe përgjegjëse që janë nën menaxhimin e kësaj Ministrie”.
“Gjithashtu, pas informimit për rastin, MPJD ka filluar kontaktet ndërinstitucionale për t’u informuar për detajet e tij. Njëkohësisht, MPJD ka kërkuar raporte të detajuara zyrtare nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Gjermani dhe nga Qendra Operative e MPJD-së, e cila është përgjegjëse për koordinimin e kthimit të qytetarëve në Republikën e Kosovës”, thuhet në komunikatë, përcjell Telegrafi.
“Pas shqyrtimit të raporteve, kemi kuptuar që për rastin në fjalë Qendra Operative e MPJD-së dhe zyrtarët e saj, përveç shënimit në listë si “prob. shen. – posedonvertetim”, siç janë shënuar edhe rastet e tjera, nuk kanë pasur asnjë dokument shëndetësor. Duhet ta sqarojmë, që listat e tilla dërgohen rregullisht nga misionet diplomatike dhe ato nuk janë valide për ta përcaktuar qëndrimin apo mosq ëndrimin e dikujt në karantinë, sepse ato përgatiten nga shefat e misioneve diplomatike, e jo nga organet shëndetësore”.
“Gjithashtu, Qendra Operative Emergjente, në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, nuk ka qenë e njoftuar dhe nuk i janë dërguar dokumente shëndetësore të cilat do të alarmonin për gjendjen e ndjeshme të të ndjerit, në asnjërën nga tri hallkat e rregullta të raportimit dhe kontrollit mjekësor, siç ka ndodhur me rastet e tjera të cilat janë liruar.
Më tej thuhet se “Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Ministria e Shëndetësisë bëjnë thirrje që organet e hetuesisë të punojnë për zbardhjen e rastit në mënyrë që procesi të përmbyllet sa më shpejt dhe njëkohësisht shprehin gatishmërinë e tyre që të bashkëpunojnë me organet përkatëse”.
“Vetëm nëpërmjet një bashkëpunimi të ngushtë dhe transparent me organet e hetimit dhe vetëm duke e mbajtur rastin larg nga politika, do të mund të kuptohet e vërteta dhe të vihet drejtësia në vend”, përfundon komunikata. /Telegrafi/