Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) njofton të gjithë pensionistët e Kosovës, të cilët kanë qenë të obliguar të lajmërohen në zyrat e pensioneve gjatë periudhës 1 janar deri 30 shtator 2020, e që për shkak të pandemisë COVID-19 kanë qenë të liruar nga ky obligim, duke filluar nga data 1 tetor, obligohen që të paraqiten në zyrat e pensioneve të MPMS në komunat ku ata jetojnë.
Sipas Ministrisë së Punës, ata pensionist që nuk lajmërohen deri në fund të muajit tetor do t’iu suspendohet pagesa e pensioneve.
“Në të kundërtën do të veprohet sipas ligjeve që janë në fuqi, që do të thotë se ata pensionistë që kanë pasur të lajmërohen gjatë periudhës së lartcekur e nuk lajmërohen deri në fund të muajit tetor 2020 do të suspendohen nga pagesa”, thuhet në njoftim.
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e fundit ka ndarë 7.5 milionë euro për subvencionimin e skemës pensionale.
Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami në prezantimin e këtij propozimi tha se, kjo ndarje është për muajt tetor-dhjetor 2020.
“Ndahen 7.5 milionë euro për subvencionimin e skemës sociale për periudhën tetor-dhjetor 2020. Kjo pagesë kryhet në baza mujore me pagesën e rregullt të skemës sociale”, tha Bajrami. /Telegrafi/