Ministria e Mbrojtjes ka nënshkruar një kontratë për blerjen e 14.000 uniforme komplete ushtarake për nevojat e pjesëtarëve të Ushtrisë së Maqedonisë, e cila është blerja e parë dy kompleteve të uniformave për secilin pjesëtar të Ushtrisë, njofton Telegrafi Maqedoni.
Shuma e kontratës së nënshkruar me kompaninë nga Shtipi “Dona M” përmes procedurës së tenderimit publik dhe transparent e cila i parapriu dhe dialogu teknik me kompanitë e interesuara, arrin në 54.5 milionë denarë, duke përfshirë edhe TVSH-në, ndërsa shuma e përgjithshme e kompleteve të uniformave ushtarake duhet të dorëzohet deri në fund të marsit të vitit të ardhshëm.
Herën e fundit janë blerë 5.000 uniforma për pjesëtarët e Ushtrisë në vitin 2013 dhe 1.100 uniforma në vitin 2017. Këtë muaj kontrata është nënshkruar për blerjen e 14.000 komplete të uniformave ushtarake për terren.
Ministrja Sheqerinska ka informuar vazhdimisht publikun se për Ministrinë prioritet janë blerjet që ndikojnë drejtpërdrejt në kushtet e URM-së për punë dhe jetë. Në fillim të tetorit, ministrja informoi se ka nënshkruar marrëveshje për blerjen e rreth 7.200 palë çizme për pjesëtarët e URM-së prej të cilave 4.350 tashmë janë dorëzuar dhe pjesa tjetër pritet të dorëzohet javën e ardhshme. Pasi të kryhet kontrolli i cilësisë dhe testimit në laboratorin e akredituar, çizmet do të shpërndahen për ushtarët./Telegrafi/