Ministria e Mbrojtjes së Armenisë, ka publikuar videon e sulmit me dron mbi trupat e Azerbajxhanit.
Përveç shkatërrimit të pajisjeve ushtarake, në video shfaqet momenti i sulmit mbi një grup ushtarësh të Azerbajxhanit që po qëndronin në një fushë të gjelbëruar, transmeton Telegrafi.
Shihet se si ushtarët ikin pak sekonda para sulmit, që për pak sa nuk goditen nga raketa në mënyrë direkte – e një pjesë e tyre bien në tokë.
Zëdhënësja e ministrisë së Mbrojtjes në Armeni, Shushan Stepanjan, ka publikuar pamjet e sulmit në Nagorni-Karabak mbi mjetet e blinduara të Azerbajxhanit.
Luftime të ashpra janë zhvilluar në vijën e frontit në Karabak, kurse Stepanjan ka theksuar se janë duke vazhduar sulmet ajrore mbi azerët në zonat e banuara.
Situata në Nagorni-Karabak ka eskaluar gjatë javës së kaluar. Baku dhe Jerevani akuzojnë njëra-tjetrën për fillimin e sulmeve. Në anën tjetër në Armeni është shpallur gjendje lufte, ku mobilizimi ka filluar dhe ndalohet rreptësisht që meshkujt nga mosha 18 deri në 55 të largohen nga vendi. E në Azerbajxhan është vënë ora policore.
Konflikti në Nagorni-Karabak filloi në shkurt të vitit 1988, kur ky rajon shpalli ndarjen nga ish-Republika Sovjetike e Azerbajxhanit. Pas konfliktit të armatosur 1992-1994, Baku humbi kontrollin mbi Nagorni-Karabak dhe shtatë rajoneve tjera fqinje. /Telegrafi/