Ministri i Kulturës, Asaf Ademi, sot në Muzeun e Luftës Maqedonase së bashku me përfaqësuesit e shteteve-anëtare të Rrjetit Evropian për Letërsi dhe përkthim “Traduki” nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi për periudhën vjetore 2019-2020, njofton Telegrafi Maqedoni.
Pas nënshkrimit të Marrëveshjes, me të cilin vazhdohet anëtarësimi fuqiplotë i Maqedonisë dhe shteteve tjera për periudhën e ardhshme dyvjeçare, ministri Ademi ka shprehur bindjen e tij se si shtet do të japim kontribut të konsiderueshëm në synimet strategjike për zhvillimin e Rrjetit dhe do të promovojmë vlerat e të njëjtit që janë pjesë e mozaikut të përbashkët evropian.
Republika e Maqedonisë është anëtare fuqiplote e Rrjetit “Traduki” që nga shtatori i vitit 2017, ku bëjnë pjesë edhe shtetet: Austria, Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Bullgaria, Gjermania, Kosova, Lihtenshtajni, Maqedonia, Rumania, Sllovenia, Serbia, Kroacia, Mali i Zi dhe Zvicra.
Nënshkrimi i kësaj marrëveshje bashkëpunimi realizohet në kuadër të takimit treditor të punës të anëtarëve të Këshillit Drejtues dhe Komisionit Programor të Rrjetit Evropian për letërsi dhe libra “Trauki” që mbahet prej datës 29 deri më 31 tetor në Shkup./Telegrafi/