Telegrafi

Ministria e Jashtme publikon numrin emergjent për kosovarët në Afganistan

Qeveria e Republikës së Kosovës përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) dhe Presidenca e Kosovës, thotë se pas përshkallëzimit të situatës në Afganistan, janë duke punuar me intensitet të lartë për identifikimin e shtetasve të Kosovës që ndodhen atje dhe ofrimin e ndihmës për largim.

Kryeqyteti i Afganistanit, Kabuli,  sot ka rënë në duart e talebanëve, të cilët morën pushtetin pasi pushtuan pjesën më të madhe të vendit.

Pas situatës së krijuar në këtë vend, Ministria e Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka publikuar numrat në rrjete sociale dhe ka lëshuar komunikatë, përmes së cilës thotë se janë duke punuar me intensitet të lartë për identifikimin e shtetasve të Kosovës që ndodhen atje dhe ofrimin e ndihmës për largim.

“Lidhur me këtë është hapur edhe një linjë emergjente me numër +383 45 492 316, ku mund të lajmërohen të gjithë shtetasit tanë, për të marr sa më parë udhëzimet dhe ndihmën e duhur.  I sigurojmë shtetasit tanë, të cilët ndodhen ende në Afganistan, se së bashku me partnerët tan ndërkombëtarë jemi duke shfrytëzuar të gjitha rrugët dhe mjetet për të mundësuar një evakuim të sigurte të të gjithëve”, thuhet në njoftim, transmeton Telegrafi.

Ndryshe, qytetarë të shumtë janë larguar nga vendi, derisa në aeroportin e kryeqytetit lejohen fluturimet vetëm nga aeroplanët ushtarakë.

Presidenti afgan Ashraf Ghani, së bashku me nënpresidentin dhe zyrtarë të tjerë të lartë, u larguan të dielën nga vendi, duke u krijuar terrenin kryengritësve talebanë për të ri-marrë në dorë pushtetin në Afganistan, 20 vite pasi një koalicion ushtarak i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara e rrëzoi grupin nga pushteti.

Talebanët njoftuan sonte se u premtojnë siguri qytetarëve të huaj dhe anëtarëve të misioneve diplomatike në kryeqytetin e Afganistanit, Kabul.

“Ne garantojmë siguri të plotë për të gjithë ambasadorët, misionet diplomatike dhe të huajt në Kabul. Të gjithë ata që janë këtu duhet ta dinë se nuk janë në rrezik,” tha zëdhënësi i talebanëve Zabiullah Mujahid në një postim në Twitter.

Ai shtoi se “luftëtarëve të Emiratit Islamik të Afganistanit iu tha të siguronin sigurinë në Kabul dhe qytete të tjera në vend”. /Telegrafi/