Telegrafi

Ministria e Infrastrukturës njofton qytetarët për rrezik të rrëshqitjes së gurëve në rrugën Kaçanik-Hani i Elezit

Ministria e Infrastrukturës ka njoftuar për rrëshqitje të mundshme në rrugën N2, Kaçanik-Hani i Elezit.

Përmes një njoftimi ka paralajmëruar qytetarët të kenë kujdes, në këtë rrugë, pasi që përbën rrezik për rrëshqitje.

“Për të gjithë ju pjesëmarrës në komunikacionin rrugor, që frekuentoni rrugën N 2, Kaçanik – Hani i Elezit, ju bëjmë me dije se një pjesë e kësaj rruge, rreth 200 metra përbën rrezik për rrëshqitje dhe erodime të dheut e të gurëve. Andaj ju lusim për vëmendjen tuaj dhe për kujdes të shtuar, nëse patjetër e zgjidhni të qarkulloni në këtë aks rrugor”, thuhet në njoftimin e tyre.

Tutje kanë njoftuar se që nga nesër do të marrin masat e nevojshme për rregullim të atij rreziku, por deri në sigurimin e plotë të këtij aksi, bëjnë thirrje që të zgjidhni rrugë alternative, siç është rruga për në pikën kufitare “Gllobiçicë”, e cila e lidhë Prizrenin me Tetovën.

“Ne si Ministri, krahas punëve që po kryhen në Autostradën “Arbën Xhaferi”, e cila pritet të përfundojë në fund të nëntorit të këtij viti, po bëjmë çdo gjë që është në mundësitë tona për të siguruar qarkullim pa probleme edhe në rrugët ekzistuese. Situatën që e kemi trashëguar kërkon ndërhyrje emergjente në shumë segmente, njëra nga këto është edhe segmenti, Kaçanik – Hani i Elezit, rruga ekzistuese Nacionale N 2”, thuhet në fund të njoftimit./Telegrafi/