Site icon Telegrafi

Mungesa buxhetit, Komuna e Vitisë i ekzekuton pagat vetëm për një pjesë të punonjësve të saj

Ministria e Financave ka njoftuar se Komuna e Vitisë nuk ka siguruar buxhetin e nevojshëm për të mbuluar pagat e muajit shtator për të gjitha sektorët, duke prekur kryesisht programet e arsimit fillor dhe të mesëm.

Si rezultat, pagat janë ekzekutuar vetëm për një pjesë të administratës komunale.

“Pavarësisht se buxheti për paga ndahet për të mbuluar të gjitha shpenzimet vjetore, raste të shumta përmbarimore kanë shkaktuar mungesë buxheti në disa komuna”.

“Thesari i Kosovës kishte njoftuar me kohë të gjitha komunat për nevojën e rishikimit të buxhetit për të siguruar fonde të mjaftueshme për ekzekutimin e pagave, ndërkaq të gjitha komunat kanë ndërmarrë masat e duhura, përveç Komunës së Vitisë”, thuhet në njoftim.

Tutje theksohet se Thesari ka paralajmëruar vazhdimisht Komunën e Vitisë për të bërë korrigjimet e nevojshme, duke i dhënë kohë deri në ditën e djeshme.  Megjithatë, komuna nuk ka ndërmarrë veprimet e duhura, çka ka rezultuar në refuzimin e automatizuar të ekzekutimit të pagave për programet e arsimit.

“Për zyrën e kryetarit dhe administratën e përgjithshme, pagat janë ekzekutuar normalisht, ndërsa për punonjësit e arsimit fillor dhe të mesëm, mungesa e buxhetit ka ndikuar që pagat të mos procesohen”.

Ministria e Financave ka theksuar se, sapo Komuna e Vitisë të sigurojë buxhetin e nevojshëm dhe të bëjë rregullimet përkatëse, pagat e këtyre sektorëve do të ri-ekzekutohen menjëherë./Telegrafi/

Exit mobile version