Telegrafi

Ministria e Financave dhe KRU Prishtina nënshkruan marrëveshje me vlerë 13.2 milionë euro për trajtimin e ujërave të zeza

Ministria e Financave dhe KRU Prishtina kanë nënshkruar sot marrëveshje me vlerë 13.2 milionë euro për trajtimin e ujërave të zeza në kryeqytet.

Në ceremoninë e nënshkrimit ishin prezent Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku, Koordinatori i Zyrës së Bankës Gjermane për Zhvillim në Kosovë, Z. Premtim Islami dhe Kryeshefi i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, Arsim Fetahu.

Në fjalën e tij hyrëse, Ministri Murati theksoi rëndësinë e këtij projekti duke thënë se “ky projekt kontribuon në zhvillimin e qytetit të Prishtinës, duke reduktuar ndotjen, ruajtur ekosistemet natyrore dhe mundësuar përshtatjen me ndryshimet klimatike, e gjitha kjo duke qenë në linjë me Strategjinë Nacionale për Menaxhimin e Ujërave të Zeza”.

Zëvendësministri Mjeku gjithashtu theksoi rolin e këtij projekti pasi siç tha ai “projekte të tilla janë të domosdoshme që burimet tona të ujit të jenë të sigurta dhe të shërbehet një numër më i madh i qytetarëve”.

Koordinatori Islami theksoi se “ky projekt pritet të përmirësojë jetën e qytetarëve të Rajonit të Prishtinës dhe falënderoi Qeverinë e Kosovës për bashkëpunimin e deritanishëm”.

“Projekti në fjalë ka një rëndësi të veçantë për Komunën e Prishtinës, Fushë Kosovës, Obiliqit dhe Graçanicës duke konsideruar nivelin e lartë të ndotjes në këto komuna”, u shpreh Kryeshefi Fetahu.

Kujtojmë se marrëveshja e nënshkruar sot për trajtimin e ujërave të zeza në Komunën e Prishtinës me vlerë 13.2 milionë euro i shtohet marrëveshjes fillestare të grantit me vlerë 28.8 milionë euro, duke e bërë kështu vlerën totale të projektit 42 milionë euro./Telegrafi/