Ditë më parë Projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës është dorëzuar në Ministrinë e FSK-së, Ministrinë e Integrimit Evropian dhe Ministrinë e Financave, për të marrë opinionet e tyre lidhur me Projektligjin se a është në harmoni me legjislacionin e BE-së dhe a është i përballueshëm financiarisht.
Zyra për media e Ministrisë së Integrimit Evropian sqaruan për Telegrafin se Projektligji për FSK-në nuk e cenon legjislacionin e BE-së.
“Duke u bazuar në legjislacionin në fuqi, Ministria e Integrimit Evropian (MIE) obligohet të jap opinionin ligjor se a është në harmoni me legjislacionin e BE-së (Acquis) cdo projektligj që kalon në Qeveri. MIE ka dhënë opinionin ligjor se drafti I Projektiligjit nr.05/L-156 për FSK, nuk I cenon parimet e së drejtës së BE-së. Rrjedhimisht, kjo fushë është kompetencë e brendshme (sovrane) e vendeve anëtare të BE-së (në rastin e Kosovës është kompetencë e institucioneve tona dhe në pajtim me legjislacionin e vendit)”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.
Ndërsa, zëdhënësi i zyrës së Informimit nga Ministria e Financave, Muharrem Shahini, ka thënë për Telegrafin se buxheti reflekton planin strategjik të FSK-së dhe nuk paraqet kurrfarë pengese për transformimin në ushtri.
“Buxheti për Forcën e Sigurisë së Kosovës për 2017 dhe për vitet në vijim është përgatitur në konsultim të ngushtë dhe në dakordim me partneret tanë të cilët e mbështesin avancimin e FSK-së. Ky buxhet reflekton planin strategjik të FSK-së dhe nuk paraqet kurrfarë pengese për transformimin në ushtri”, ka thënë Shahini.
Sipas tij, Ministria e Financave po bënë vlerësimin e ndikimit buxhetor të projektligjit.
“Vlerësimet janë që kërkesat buxhetore të këtij projektligji janë brenda ndarjeve buxhetore për 3 vitet e ardhshme, siç janë paraparë me Kornizën afatmesme të shpenzimeve, duke qenë se Qeveria edhe më parë e ka paraparë shndërrimin e FSK-së në Ushtri”, ka thënë ai për Telegrafin.
Ndërkaq, ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës Haki Demolli, tashmë e ka proceduar në Qeveri Projektligjin për FSK-në, për të cilin ministria që ai drejton ka opinion pozitiv.
Ndryshe, ky projektligj është dërguar në Kuvend nga presidenti Hashim Thaçi, i cili dokument më pas u procedua në Qeveri për mendim./Telegrafi/