Pas kërkesës nga Njësia Qendrore Harmonizuese e Auditimit të Brendshëm në Ministrinë e Financave, kjo Njësi është akredituar nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve, për Programin kombëtar për trajnim dhe certifikim të Auditorëve të brendshëm në sektorin publik.
Në kuadër të programit të Qeverisë dhe kërkesave për reforma që dalin nga Strategjia e Kontrollit të Brendshëm të Financave Publike, Ministria e Financave përkatësisht NjQHAB për herë të parë ka përgatitur Programin Kombëtar për Trajnim dhe Certifikim të Auditorëve të brendshëm në sektorin publik.
Ministri i Financave Avdullah Hoti, pas pranimit të certifikatës së Akreditimit të Programit për Certifikimin e Auditorëve të brendshëm nga drejtoresha e Autoritetit Kombëtar të Kualifikimeve Teuta Danuza, tha se “ Qeveria e Kosovës dhe Kryeministri Mustafa ka vendosur një standard të lartë të menaxhimit të financave publike. Programi që është akredituar sot nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve është në funksion të rritjes së kontrollit të shfrytëzimit të parasë publike. Siç e dini vitin e kaluar kemi aprovuar një Strategji të Kontrollit të Brendshëm të financave publike dhe të kontrollit dhe tash edhe ky program është në funksion të realizimit të kësaj Strategjie.
Ministri Avdullah Hoti duke falënderuar Autoritetin Kombëtar të Kualifikimeve për shqyrtimin dhe aprovimin e kërkesës së Ministrisë së Financave për akreditimin e këtij Programi, tha se “Ky program parasheh trajnimin dhe certifikimin e auditorëve të brendshëm të sektorit publik, në të cilin do të marrin pjesë auditorët e brendshëm që janë të punësuar në sektorin publik, si dhe të interesuarit të tjerë brenda dhe jashtë institucioneve”.
“Për të përkrahur këtë program, Ministria e Financave përmes Njësisë Qendrore Harmonizuese, ka hartuar Udhëzimin Administrativ për Programin Kombëtar të Trajnimit dhe Certifikimit të Auditorëve të Brendshëm të Sektorit Publik, i cili është publikuar në Gazetën zyrtare. Ne kemi bërë të gjitha përgatitjet dhe programi do të fillojë më 5 shtator, në dy grupe me nga 32 kandidatë. Ky program është tepër i rëndësishëm për neve sepse për momentin kemi kapacitete të kufizuara të auditorëve të brendshëm në institucionet publike nga 154 auditorë të brendshëm që i kemi në të gjitha Ministritë dhe në të gjitha Komunat vetëm 68 janë të certifikuar si Auditorë të Brendshëm, të tjerët duhet ti nënshtrohen trajnimeve dhe certifikimeve” shtoi Ministri Hoti.
Ai gjithashtu shtoi se ““Unë me kënaqësi them se tani më kemi krijuar kapacitetet e brendshme për ti kryer vetë këto trajnime përmes akreditimit të Programit dhe trajnimit dhe përgatitjes së trajnerëve. Ndërkohë që, në vitin 2011 dhe 14, këto janë kryer përmes CIPFA ( Instituti i Certifikuar për Financat Publike dhe Llogaridhënie) në Britaninë e Madhe, që ka dhënë një ndihmesë të jashtëzakonshme në Njësinë Qendrore Harmonizuese, në të gjitha fazat e zhvillimit të këtij procesi”.
“Me këtë program ne duke krijuar kapacitete, mundësojmë që fokusin ta zhvendosim prej auditimit të rregullsisë, e cila ndodhë tani, pra që është auditim që nënkupton se a po kryhet shpenzimi i parasë publike sipas ligjit, tek auditimi i performancës, për të parë që a po arrihen efektet maksimale nga shfrytëzimi i parasë publike. Mendoj se ky është një ndryshim shumë i madh, rrënjësor, duke qenë se ne veç kemi krijuar struktura të brendshme, kapacitete të brendshme për tu siguruar që gjatë procesit të shpenzimeve të parasë publike respektohet Ligji. Tash fokus i jonë do të jetë në arritjen e efekteve maksimale nga shfrytëzimi i parasë publike. Këta auditorë që do të certifikohen do të jetë një ndihmesë e madhe për zyrtarët e lartë kryesorë administrativ, për ministrat, për kryetarët e Komunave dhe për zyrtarët tjerë brenda Institucioneve publike ”, tha ministri i Financave Avdullah Hoti.
Ndërsa, drejtoresha e Autoritetit Kombëtar të Kualifikimeve Teuta Danuza, uroi Ministrin e Financave për marrjen e certifikatës së Akreditimit nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve, dhe tha se “Ministria e Financave me Njësinë përkatëse, i është nënshtruar procesit të Akreditimit, duke përmbushur të gjitha kriteret e cilësisë dhe duke fituar kështu një akreditim për një periudhë 3 vjeçare, pra që nga viti 2016 deri në vitin 2019”.
“Është e rëndësishme të ceket se vula e Akreditimit është një garantues i cilësisë, duke siguruar që përmbajta e trajnimeve të auditorëve të brendshëm, është në përputhje me kriteret dhe standardet cilësore dhe standardet evropiane. Pra, duke mundësuar dhe duke synuar përmirësimin e auditorëve të brendshëm në shërbimin civil të Kosovës”, shtoi znj. Danuza.
Ajo gjithashtu tha se “Synim i Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve është që të rinjtë tanë të pajisen jo vetëm me kualifikim formal apo zyrtar, mirëpo të pajisjen edhe me njohuritë, shkathtësitë dhe kompetencat në përputhje me profilin profesional për të cilën kualifikohen. Pra synim i yni në nivel evropian është që këto kualifikime të cilat arrihen apo këto certifikata që i marrin kandidatët tonë në Kosovë dhe të cilat janë të akredituara nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve, të kanë njohje edhe në tregun e punës evropian. Pra që të mundësohet mobiliteti i fuqisë punëtore në tregun evropian, që përveç që të kemi një fuqi punëtore e cila është e aftë ti përmbushë kërkesat e tregut të punës në Kosovë, të jetë e aftë të konkurrojë jo vetëm në tregun rajonal, por edhe në atë evropian”.
Drejtori i Njësisë Qendrore Harmonizuese Kosum Aliu, bëri të ditur se Programi është i ndarë në pjesën teorike, ku parashihen ligjëratat dhe ushtrimet, të cilat zgjasin 25 ditë. Si dhe pjesën praktike ku zhvillohen trajnime konkrete dhe auditime konkrete në teren, të cilat zgjasin dy muaj dhe kryhen nën mbikëqyrjen e auditorëve të cilët janë të certifikuar brenda institucioneve publike.
“ Pjesa teorike përmban pesë (5) module: Bazat e Auditimit të Brendshëm; Metodologjia e Auditimit të Brendshëm; Teknikat dhe shkathtësitë e Auditimit të Brendshëm; Bazat e Menaxhimit Financiar dhe Kontrollit; si dhe Metodologjia e Auditimit te Brendshëm në Praktikë. Për secilën nga këto module janë përgatitur libra dhe material përkatëse, në përputhje të plotë me standardet dhe praktikat më të mira evropiane dhe ndërkombëtare në fushën e auditimit të brendshëm në sektorin publik. Numri i pjesëmarrësve që do t’i nënshtrohet këtij programi është 127. Prej tyre 86 janë nga institucionet publike, nga auditori i brendshëm dhe 41 të interesuar të tjerë. Ndërsa, trajnimet do të kryhen nga 12 trajner, prej të cilëve janë 6 janë nga Njësia Qendrore Harmonizuese dhe Auditimi i Brendshëm në Ministrinë e Financave, 1 nga Departamenti i Auditimit të Brendshëm në Ministrinë e Financave, 1 nga Ministria e Drejtësisë, 1 nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, 1 nga Policia e Kosovës, si dhe 1 nga Komuna e Drenasit”, shtoi drejtori Aliu.
Ai bëri të ditur gjithashtu se “Pas përfundimit me sukses të provimit me shkrim, kandidati i nënshtrohet trajnimit praktik duke kryer dy auditime të brendshme nën mentorim si dhe provimit me gojë. Kandidati i cili përfundon me sukses provimin me shkrim dhe me gojë, certifikohet si auditor i brendshëm në Sektorin Publik”. /Telegrafi/