Sa i përket kërkesave të bëra nga Odat Ekonomike të Maqedonisë së Veriut në sferën e turizmit, Ministria e Ekonomisë deklaron që Republika e Maqedonisë së Veriut, si shumë vende të tjera në botë, po ballafaqohet me një situatë me shumë sfida dhe pasoja që vijnë si rezultat nga virusi KOVID-19.
Nga Ministria e Ekonomisë thonë se aktualisht qeveria po punon për të parandaluar dhe zvogëluar numrin e të infektuarve, si dhe për të koordinuar të gjitha institucionet në përputhje me rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).
“Masat dhe rekomandimet e propozuara nga Qeveria vlejnë për të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut, të gjitha subjektet dhe të gjitha institucionet përfshirë edhe Qeverinë e RMV-së. Ne si ministri po ndjekim situatën në të gjitha degët industriale në vend dhe jemi të vetëdijshëm për pasojat, por për momentin përparësi ka shëndeti i qytetarëve”.
“Sipas informatave tona, dëmet në turizëm do të jenë të mëdha duke marrë parasysh edhe rezultatet nga vendet tjera. Sipas informacioneve nga odat e turistëve ka një numër të konsiderueshëm anulimesh ose shtyrje të grupeve në hotelieri dhe agjencive të udhëtimit që operojnë turizëm hyrës, ka ulje të numrit të prenotimeve individuale, anulime të theksuara të seminareve të shumta, konferencave dhe ngjarjeve, mungesë interesi për pjesëmarrje dhe shitje të vështira të aranzhmaneve të shpallura për të gjitha destinacionet, kërkesa të shumta për përfundimin e një marrëveshje udhëtimi jashtë shtetit si masa kujdesi si dhe tjera anulime”, theksojnë nga ministria.
Ata më tej shtojnë se Agjencia për Promovimin dhe Përkrahjen e Turizmit, në përputhje me kompetencat e saj, duhet të bëjë një analizë të mundësive për ndryshimin e Programit të Punës, si dhe rialokimin e fondeve të parashikuara për Subvencione për organizim e tregtisë së turizmit të huaj në Fondin për Turizëm, në mënyrë që të kompensohen palët e interesuara.
“Sa i përket masave që janë drejtpërdrejt kompetencë e Ministrisë së Ekonomisë, deklarojmë që ekonomia e turizmit do ketë mbështetje maksimale, pra propozimi për sigurimin e aranzhmaneve është i pranueshëm dhe i njëjti është paraparë në ndryshimet në Ligjin për veprimtari turistike”, thonë nga ministria.
Duke pasur parasysh atë që është cekur më lartë, Ministria e Ekonomisë konsideron se në situata kur sfida kryesore është zgjidhja e problemit të virusit KOVID-19 nuk duhet të merret parasysh mundësia e përdorimit të situatës për të arritur në përfitime të caktuara./Telegrafi/