Ministria e Ekonomisë, në përputhje me Programin e Mbështetjes së Turizmit Vendas për punëtorët me të ardhura të ulëta në vitin 2024, do të shpërblejë me vauçer pushimi për këto kategori qytetarësh. Thirrja publike do të publikohet të hënën, më 12 shkurt dhe të gjithë punëtorët me të ardhura të ulëta do të mund të aplikojnë për një vauçer-vërtetim në vlerë prej 18 mijë denarë, njoftoi ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi në konferencën e sotme për media në Qeveri, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Ministri tha se qëllimi kryesor i kësaj mase, për të cilën ka pasur interes të madh vitet e kaluara, është t’u mundësohet personave me të ardhura të ulëta të marrin leje vjetore dhe njëkohësisht të ndihmohen qendrat turistike në rritjen e volumit të punës jashtë sezonit turistik.
“Për këtë masë janë siguruar mjete në vlerë prej 64.000.000 denarë (rreth një milion euro), përkatësisht do të lëshohen gjithsej 3.555 vauçer për pushime për punëtorët me të ardhura të ulëta. Të drejtën për pjesëmarrje në thirrjen publike kanë të gjithë personat fizikë të cilët janë të punësuar dhe të ardhurat mujore të të cilëve në familje nuk i kalojnë të ardhurat neto prej 50.000 denarë”, tha Bekteshi.
Sipas ministrit Bekteshit, certifikata e pushimit të punëtorëve me të ardhura të ulëta do të mund të përdoret jashtë sezonit turistik në cilindo nga objektet hotelierike nga Lista e objekteve hoteliere të regjistruara për akomodim, e publikuar në faqen e Ministrisë së Ekonomisë.
Vërtetimi i pushimeve të punëtorëve me të ardhura të ulëta mund të përdoret nga momenti i marrjes së saj deri më 30 qershor 2024 dhe nga data 15 shtator deri më 1 dhjetor 2024”, thonë nga Ministria e Ekonomisë.
Për mënyrën e aplikimit mund të merrni informacione në ueb faqen e Ministrisë së Ekonomisë.
Ministri Bekteshi gjithashtu informoi se sot është afati i aplikimit për hotelet që duan të presin mysafirë me vauçer për pushime./Telegrafi/