Telegrafi

​Ministria e Drejtësisë kërkon informacione nga Rumania për hetimin e policëve që vranë Balajn e Xheladinin

Ministria e Drejtësisë sot i është drejtuar me një kërkesë Ministrisë së Drejtësisë së Rumanisë, për t’u njoftuar në lidhje me arritjet në procesin e hetimeve që shteti rumun po bën në kuadër të hetimeve për vrasjen e dy protestuesve, Mon Balaj dhe Arben Xheladini, në Prishtinë, në protestën e 10 shkurtit 2007.

Në këtë protestë ishte përfshirë policia rumune, që vepronte në kuadër të forcave policore të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë – UNMIK.

“Ministria e Drejtësisë përmes kësaj kërkese është e interesuar që nga institucionet e drejtësisë rumune të njoftohet nëse është marrë vendimi përfundimtar për këtë rast që ka nisur në vitin 2009”, thuhet në njoftimin e bërë për media.

Mon Balaj dhe Arben Xheladini ishin aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje./Telegrafi/