Site icon Telegrafi

Ministria e Drejtësisë formon grup punues për reformë në sistemin e drejtësisë

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi sot ka mbajtur një konferencë për media përmes së cilës e ka njoftuar opinionin publik lidhur me vendimin për themelimin e grupit punues për hartimin e modaliteteve dhe skenarëve për çështje të reformës në sistemin e drejtësisë me qëllim të adresimit të llogaridhënies duke përfshirë edhe vettingun, i cili u votua sot në mbledhjen e Qeverisë.

“Si tregues dhe dëshmi të përkushtimit të Qeverisë për realizimin e procesit të reformës në drejtësi dhe për të bërë hapa përpara në fuqizimin e sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës, kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme, ka votuar vendimin për themelimin e grupit punues për hartimin e modaliteteve dhe skenarëve për çështje të reformës në sistemin e drejtësisë me qëllim të adresimit të llogaridhënies duke përfshirë edhe vettingun.

Pjesë e Grupit Punues, i cili është gjithpërfshirës me qëllim të garantimit të objektivitetit dhe transparencës, do të jenë përfaqësues nga organizatat e shoqërisë civile, të gjithë hisedarët e sistemit të drejtësisë dhe në rolin mbështetës do të jenë përfaqësues nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar, Ambasada e Gjermanisë, Ambasada e Italisë, përfaqësues nga Misioni i OSBE-së”, tha Selimi.

Selimi shtoi se për të respektuar parimin e inkluzivitetit dhe punën e deritanishme, në vendim është përfshirë edhe grupi sipas vendimit 08/04 të datës 28.02.2020, të cilët i ftoj të jenë pjesë e procesit të dizajnimit të sistemit të llogaridhënies duke përfshire edhe vettingun.

“Puna e grupit punues është e përkufizuar në kohë – Deri në fund të muajit tetor të këtij viti, ky grup do ta përgatis raportin përfundimtar mbi skenarët e Reformës në Sistemin e Drejtësisë, duke i marrë për bazë edhe rekomandimet e procesit të Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit.

Raporti i grupit punues do të shfrytëzohet si bazë mbi të cilin Qeveria dhe Ministria e Drejtësisë, në koordinim me akterët tjerë si dhe partnerët strategjik do të procedojnë tutje me reformën.

Mbledhja e parë e këtij grupi pritet të mbahet javën tjetër përmes një videokonference”, shtoi ministri Selimi. /Telegrafi/

Exit mobile version