Telegrafi

Ministria e Drejtësisë dhe Ambasada e ShBA-së organizuan tryezë për kompensimin e viktimave të krimit

Në kuadër të aktiviteteve njoftuese për çështjen e kompensimit të viktimave të krimit, Ministria e Drejtësisë, në bashkëpunim me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, organizoi tryezën me gjyqtarë, prokurorë dhe mbrojtësit e viktimave.

Temë e kësaj tryeze ishte njoftimi i gjyqtarëve, prokurorëve dhe mbrojtësve të viktimave për fillimin e implementimit të Ligjit për Kompensimin e Viktimave, dhe ndikimi që ka efikasiteti i gjykatave në fillimin e implementimin e këtij ligji.

Anëtarët e Komisionit qeveritar për kompensimin e viktimave të krimit i njoftuan gjyqtarët, prokurorët dhe mbrojtësit e viktimave se Komisioni është i gatshëm t’i shqyrtoj kërkesat e viktimave për kompensim.

Ministria e Drejtësisë, u tha në takim, shpreh përkushtimin për fillimin e implementimit të Ligjit për Kompensimin e Viktimave, duke e konsideruar këtë çështje të një rëndësie të veçantë dhe inkurajon viktimat e krimit që i plotësojnë kushtet sipas Ligjit për Kompensimin, të paraqesin kërkesë për kompensim.