Ministria e Drejtësisë dhe Ambasada britanike në Prishtinë kanë nënshkruar sot një memorandum mirëkuptimi për vazhdimin e ofrimit të mbështetjes për këtë ministri përmes angazhimit të ekspertëve vendorë ligjorë.
Sipas një njoftimi për media, ekspertët ligjorë do të vazhdojnë të mbështesin Ministrinë e Drejtësisë në finalizimin e rishikimit funksional, në hartimi të legjislacionit si dhe në avancimin e prioriteteve të tjera të Ambasadës britanike.
“Zëvendës sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë, Ardian Bajraktari tha se është i bindur se angazhimi i ekspertëve që shërbejnë në këtë ministri do të vazhdojë të jetë i kënaqshëm sikurse ka qenë deri më tash. Ndërsa, kryesuesja e Sundimit të Ligjit dhe Sigurisë Ndërkombëtare në Ambasadën britanike, Jennifer Blakeney, tha se kjo do t’i mundësojë Britanisë që të vazhdojë të ofrojë mbështetje përmes ekspertëve ligjorë për sistemin e drejtësisë në Kosovë dhe për t’i ndihmuar qeverisë për të arritur prioritetet e saj në sundimin e ligjit”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/