Site icon Telegrafi

Ministria e Diasporës rekomandon bashkatdhetarët t’i shmangen Merdares

Ministria e Diasporës rekomandon bashkatdhetarët që vijnë t’i kalojnë pushimet në vendlindje, që paraprakisht, para se ta marrin rrugën për në Kosovë, ta konsultojnë ueb-faqen e Ministrisë së Punëve të Brendshme, përkatësisht Qendrën kombëtare të menaxhimit kufitar, e cila për çdo ditë pasqyron situatën në pikat kufitare, duke treguar edhe për kohën e pritjes.

“Për shkak të punimeve në terminalin e ri, por edhe për shkak të përqendrimit  që ndodh në Merdare gjatë ardhjes së mërgimtarëve, ajo pikë kufitare mund të jetë më problematikja  sa u përket pritjeve, andaj Ministria e Diasporës, në konsultim me Policinë e Kosovës, rekomandon që, aq sa ka mundësi, të shmanget ajo pikë dhe të shfrytëzohen pikat e tjera kufitare”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Diasporës.

Ministria ka lënë në dispozicion edhe një numër kontakti në Beograd dhe email adresën e Ministrisë për  çfarëdo problemi ose halli që mund t’u paraqitet gjatë rrugës e që bashkatdhetarët menjëherë t’i njoftojnë Policinë e Kosovës dhe Zyrën e Kosovës në Beograd në: + në +38166247743 dhe l.o@rks-gov.net, por edhe Ministrinë e Diasporës në: ministriaediaspores@rks-gov.net.

 

 

Exit mobile version