Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në bashkëpunim me Korporatën Ndërkombëtare Financiare anëtare e grupit të Bankës Botërore, sot prezantuan për herë të parë në Kosovë produktet e sigurimit bujqësor për mbrojtjen e fermerëve nga rreziqet e shkaktuara nga kushtet atmosferike.
Ministrja Dijana Ziviq, e cila mori pjesë në lansimin e sistemit të sigurimeve bujqësore në Kosovë, Projekti ECA Agri-Financa, tha se gjatë viteve të kaluara fermerët kosovarë në bujqësi kanë pësuar humbje në produktet bujqësore për shkak të kushteve klimatike, por sot e tutje fermerët mund t’i sigurojnë kulturat e tyre bujqësore.
Ajo tha se Ministria e Bujqësisë do t’i subvencionojë fermerët për një policë sigurimi me 50 për qind.
“Sigurimi i bujqësisë gjithashtu fermerëve u ofron vazhdimësi të veprimtarisë, gjë që çon në të hyra më të qëndrueshme për fermerët dhe ndihmon në ngritjen e eksportit, krijimin e vendeve të punës dhe përmirësimin e huamarrësve për këtë sektor”, tha Ziviq.
Ambasadori i Austrisë në Kosovë, Gernot Pfandler, tha se Austria në mënyrë strategjike është e fokusuar në fushën e sigurimeve në bujqësi. Pfandler theksoi se Kosova ka një sipërfaqe bujqësore mjaft me rëndësi për këtë sektor, por që humbjet në këtë sektor janë të mëdha për shkak të fatkeqësive natyrore.
“35 milionë euro është vlera e humbjeve në bujqësi në vit nga fatkeqësitë natyrore. Andaj kjo skemë e këtij projekti shënon vetëm fillimin e një bujqësie më produktive në Kosovë”, tha Pfandler.
Zëvendësguvernatori i BQK-së, Lulëzim Ismajli, tha sektori i bujqësisë konsiderohet mjaft me rëndësi edhe për zhvillimin ekonomik, por që është sektori më pak i kredituar në Kosovë.
Ndërsa, Leah Soroka menaxhere e programit IFC projekti për financimin e bujqësisë në Evropë dhe Azi Qendrore, tha se Kosova sot me këtë projekt po e përmbushë një kërkesë të BE-së për sigurimin e produkteve të bujqësisë.
Dardan Velija nga Bordi i Shoqatës së Prodhuesve Komercial të Frutave, tha se Kosova në këtë sektor ka problem për financimin e projekteve në bujqësi.
Sami Mazreku drejtor ekzekutiv i Shoqatës së Kompanive të Sigurimeve në Kosovë duke vlerësuar lartë këtë të arritur, tha se që nga sot fermerët kosovarë kanë mundësi t’i sigurojnë kulturat bujqësore. /KP/Telegrafi/