Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, e ka cilësuar si ‘fitore të radhës kundër zhvatësve’ lirimin e pronës publike në Zonën Industriale që lidh Prishtinën me Fushë Kosovën.
Ai e ka përshëndetur vendimin e Shkallës së dytë të Gjykatës Komerciale, i cili ka hedhur poshtë vendimin e Shkallës së Parë karshi kontestit për lirimin e pronës së kësaj ministrie.
Peci ka thënë se ajo pronë po shfrytëzohet pa marrëveshje kontraktuale nga operatori ekonomik “Patroni”.
“Sikurse edhe kemi paralajmëruar, në atë lokacion do të ndërtohet objekti i ri i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Agjencive vartëse në mënyrë që t’i plotësojmë kushtet për akreditimin në IPARD”, ka shkruar ministri në Facebook.
Ai tutje ka thënë se mbtet i përkushtuar dhe i vendosur në angazhimin e tij si ministër deri në rikthimin e pronës në Ulpianë dhe pastrimin e gjendjes në Stankaj të Pejës.
“Pa pardon karshi abuzimit me pronën shtetërore! Me drejtësi dhe ndershmëri!”, ka përfunduar Peci. /Telegrafi/