Ministria e Punëve të Brendshme, e cila jep vulën e fundit për veturat e qytetarëve që të dalin në komunikacion, i ka 14 vetura të paregjistruara. Madje, burimet e “Zërit” sqarojnë se me këto vetura po barten edhe dokumentet personale të qytetarëve
Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), institucioni qeveritar që bën regjistrimin e të gjitha automjeteve në Kosovë duke ia dhënë vulën e fundit për të dalë në komunikacion, i ka në qarkullim disa vetura të paregjistruara.
Kjo për faktin se veturave zyrtare u ka skaduar sigurimi, përderisa procedurat tenderuese të prokurimit ende nuk kanë përfunduar.
Në Ministrinë e Punëve të Brendshme kanë konfirmuar për gazetën “Zëri” se aktualisht janë 14 vetura të paregjistruara.
“Deri në këtë moment në Ministrinë e Punëve të Brendshme janë të paregjistruara 14 vetura. Kjo për shkakun se procesi i përmbylljes së procedurës së prokurimit ende nuk ka përfunduar. Sidoqoftë, ligjet relevante në fuqi në Republikën e Kosovës kanë paraparë mundësi për zgjidhjen edhe të këtyre situatave, andaj MPB-ja do të procedojë më tutje në përputhje me ligjet në fuqi dhe assesi ky proces nuk do të ndikojë në ushtrimin e detyrave zyrtare dhe misionit të MPB-së”, ka bërë të ditur për “Zërin” Zyra për informim e MPB-së. /Zëri/Telegrafi/