Site icon Telegrafi

Ministria e Arsimit shpërndan gjysmë milionë maska nëpër shkolla, kërkohet kujdes nga nxënësit dhe mësimdhënësit

Foto ilustruese

Drejtues të Ministrisë së Arsimit dhe institucioneve shëndetësore, kanë thënë se janë përgatitur që nesër të fillojë procesi mësimorë në shumicën e shkollave në Kosovë, derisa kanë kërkuar respektimin e masave, në mënyrë që mos të detyrohen t’i mbyllin shkollat.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, ka numëruar angazhimet që ka bërë kjo ministri dhe institucionet tjera arsimore e shëndetësore, për një fillim të mbarë të vitit të ri shkollorë.

Ai në një konferencë për media, ka thënë se e vetmja mënyrë për të luftuar përhapjen e virusit Covid-19, është prishja e ciklit të transmetimit të tij, duke respektuar me përpikëri të gjitha udhëzimet dhe rekomandimet.

“MASh sipas planit të detajuar në master plan, ka paraparë një shumë të konsiderueshme monetare për financimin e shpenzimeve të komunave. Në kuadër të këtyre shpenzimeve bëjnë pjesë mirëmbajtja, dezinfektimi dhe pastërtia. Këto mjete do t’i ndahen javën që vjen komunave proporcionalisht bazuar në numrin te nxënësve. Të gjithë pjesëmarrësin në shkollë janë të obliguar të bartin maska, MASh-t ka shpërndarë rreth një gjysmë milioni maska në të gjitha shkollat në territorin e Kosovës. Në rast nevoje është paraparë angazhimi me normë plotësuese i rreth 1000 mësimdhënësve për 9 muaj, treqind mësimdhënës në gjendje të renduar shëndetësore do të jenë jashtë procesit dhe do të jenë të mbuluar financiarisht, 100 punëtorë teknik etj.”, tha ai.

Ministri pati edhe një kërkesë për prindërit e nxënësit.

“Prindër dhe mësimdhënës, jemi të vetëdijshëm për rrethanat që kemi kaluar dhe po kalojmë, është shumë me rëndësi kontributi juaj në rritjen e vetëdijes së nxënësve për rëndësinë e higjienës dhe kujdesit brenda dhe jashtë arsimore. E vetmja mënyrë për të luftuar përhapjen e virusit Covid-19 është prishja e ciklit të transmetimit të tij, duke respektuar me përpikëri të gjitha udhëzimet dhe rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë, Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës dhe udhëzuesi i përgjithshëm MASh”, tha ai.

Likaj ka thënë se ora e parë e mësimit do t’i kushtohet pandemisë dhe një orë në javë t’i kushtohet të rejave rreth pandemisë në vazhdimësi.

Ndërsa, ministri i shëndetësisë, Armend Zemaj ka treguar për masat që janë ndërmarrë për mbrojtje nga virusi, si dhe masat që do të ndermirën në rast se nuk respektohet udhëzuesi dhe protokollet për mbrojtje nga Covid-19.

“E them me plotë përgjegjësi, po do të ketë disipline, do të ketë kërkese për llogaridhënie dhe nuk do të lejojmë që të rikthehemi në një situatë tjetër e cila mund të përkeqësoj gjendjen e popullatës në tërësi… Një front i përbashkët në të mirë të përbashkët të ruajtjes së shëndetit por edhe të zhvillimit të jetës shoqërore në përgjithësi. Mbyllja është karakterizuar me shumë probleme sociale, psikike politike, shoqërore, ekonomike, gjitha këto nuk do të dëshirojmë të rikthehemi në një situatë të tillë. Kemi hequr të zajët e ullirit, ta quaj kushtimisht duke menaxhuar situatën me një hapje të kontrolluar dhe nuk do të lejoj as si ministër i shëndetësisë por as si Qeveri e Republikës së Kosovës që për shkak të shkeljeve të këtyre rregullave të mos disiplinës, të rikthehemi në një situatë të dis favorshme për shoqërinë tonë”, ka thënë Zemaj.

Zemaj tha se të gjitha masat janë marrë më bashkëpunim me të gjitha organet kompetente që janë për mbrojte nga pandemia Covid-19, duke shtuar se javën e ardhshme, do të vëzhgojnë se si po ecën puna në të gjitha shkollat e Kosovës.

Ndërsa, drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani ka thënë se me angazhimin e institutit, Kosova është vendi më i sigurti në rajon dhe për këtë ka edhe fakte. Ai thotë se gjitha shkollat do të hapen falë përgatitjeve të parakushteve në detaje që i kanë bërë.

Sipas tij, është top prioritet shëndeti i fëmijëve dhe mësimdhënësve, dhe çdo rast që raportohet nga task forca e shkollës, instituti kombëtar pa humbur kohë do të merret me atë rast.

“Instituti kombëtar është më prestigjioz në vend sa i për ketë planifikimit dhe realizimit të shëndetësisë publike dhe do ta ketë top prioritet shëndetin e fëmijëve dhe të mësimdhënësve, dhe për këtë ju garantoj se çdo rast i veçante që paraqitet nga task forca e komuna e çdo shkolle, do të jetë i menaxhuar me një prioritet të parë, që do të thotë në kohë reale, brenda ditës aty ku ka ndodhur rasti do të merret menjëherë në shqyrtim, qoftë një rast pozitiv, qoftë një rast vetëm i dyshimtë me temperaturë tek nxënësit dhe tek mësimdhënësit, dhe do të procedohen në kohën më të shkurtër nga task forca e shkollës në task forcën komunale e deri në Ministrinë e Arsimit dhe Ministrinë e Shëndetësisë. Instituti kombëtar do të mbikëqyrë çdo cep të Republikës së Kosovës”, ka thënë Ramadani.

E kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj ka thënë se çështjen që mësimdhënësit ta matin temperaturën e nxënësve e kanë

“Matjen e temperaturave nga personeli mësimor, e kemi shtruar edhe të premten këtë çështje. E kemi kundërshtuar ngase kemi bindjen se punëtorët e arsimit nuk janë profesional në këtë çështje edhe pse duket e lehtë, dhe po ashtu në rreshtimin që bëhet nga një metër e gjysmë larg njëri tjetrit, besoj se mund të humb procesi mësimor. Besoj se task forca në nivel shkollor dhe komunal do ta gjejë një zgjidhje tjetër”, ka thënë Jasharaj./kp/Telegrafi/

Exit mobile version