Site icon Telegrafi

Ministria e Administratës Publike më efektivja sipas analizës së shoqërisë civile

Ministria e Administratës Publike (MAP), e cila drejtohet nga ministri Mahir Yagcilar del të jetë ministria më efektive e Qeverisë së Kosovës.

Analiza e Lëvizjes FOL për realizimin e Planit Vjetor të Punës së Qeverisë për periudhën Janar-Qershor 2018, nxjerr MAP-in si ministrin më efektive në Qeveri, duke arritur të realizojë 12 prej 15 aktiviteteve të planifikuara. Kjo nënkupton se MAP ka rritur të realizoj 80% të Planit.

Gjatë këtij viti Ministria e Administratës Publike ka nisur punën në zbatimin e Kontratës 2018-2021 prej 25 milionë euro për Reformë Sektoriale për Reformën e Administratës Publike, e para e këtij lloji për Kosovën nga Komisioni Evropian.

Nënshkrimi i kësaj kontratë, e cila mundëson që paret e BE-së disbursohen direkt në buxhetin e shtetit nëse realizohen reformat, shënon një avancim të marrëdhënieve midis Kosovës dhe BE-së në fushën e përkrahjes financiare.

Qëllimi i përgjithshëm i kontratës është të mbështesë procesin e reformave me qëllim të rritjes së llogaridhënies, transparencës dhe efektivitetit të administratës publike në Kosovë, me fokus më të madh në nevojat e qytetarëve dhe bizneseve.

Po ashtu këtë vit MAP ka arritur të finalizoj reformën më të rëndësishme legjislative të administratës publike duke dërguar në Kuvend tri ligje: Ligji për Pagat, Ligji për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe Agjencive të Pavarura si dhe Ligjin për Zyrtarët Publik.

Nëse këto ligje miratohen nga Kuvendi, do të ketë ndryshime rrënjësore duke filluar me procesin e rekrutimit në shërbimin civil dhe vendosjen e një sistemit të përgjithshëm për shtetin dhe rregull për të gjithë ata që pranojnë pagë nga buxheti i shtetit.

Exit mobile version