Telegrafi

Ministri Zharku, viziton “Parkun e Biznesit”

Vizita e ministrit Zharku pati për qëllim edhe përcjelljen e mesazhit të tij tek opinioni publik rreth ritmit të punimeve që janë duke u zhvilluar në ngritjen e këtij parku, që është i një rëndësie të veçantë për zhvillimin e ardhshëm ekonomik të Kosovës.

Në një njoftim zyrtar të MTI-së thuhet se, që nga tetori i vitit 2004, kur është vënë guri themeltar i projektit, ritmet e ndërtimit të tij kanë vazhduar edhe përkundër disa vështirësive që janë shfaqur, punimet kanë vazhduar në bazë të mjeteve që janë ndarë nga Buxheti i Konsoliduar i Kosovës.

"Parashihet që këtë vit të përfundojnë të gjitha punimet e infrastrukturës brenda këtij parku, mirëpo dy kompani publike që merren me sigurimin e energjisë elektrike dhe sigurimin e ujit, duhet të përshpejtojnë angazhimet e tyre për sigurimin e këtyre burimeve në kohën e duhur".

MTI-ja në bashkëpunim me AER-in, në fillimi të këtij viti, kanë përfunduar hartimin e master-planit të një zone ekonomike në një sipërfaqe prej 123 hektarësh, brenda së cilës përfshihet edhe "Parku i biznesit", ku parashihet vendosja e 134 kompanive vendore dhe të huaja, e që do të gjeneronte hapjen e rreth 4500 vendeve të reja të punës.

Njëkohësisht, MTI-ja është duke bërë përpjekje për krijimin e një baze legale për themelimin dhe funksionimin e "zonave ekonomike". Këto zona do t’u hapin rrugë bizneseve vendore dhe atyre të huaja që të fillojnë të vendosen në këtë zonë, që njëherësh do të jetë në interes të madh për bizneset. /Telegrafi/