Telegrafi

Ministri Zharku takon investitorët bavarezë

Ministri Zharku ne fjalimin e tij drejtuar pjesëmarrësve të forumit vlerësoi të arriturat e pasluftës në Kosovë në drejtim të ndërtimit të themeleve të ekonomisë së tregut dhe legjislacionit modern.

Ai para përfaqësuesve të rreth dyzet kompanive gjermane paraqiti në veçanti të arriturat në krijimin e një ambienti më të përshtatshëm e më të sigurt për investitorët e huaj, duke nënvizuar ndryshimet pozitive të bëra si në politikat fiskale ashtu edhe në zhvillimin e sektorit privat dhe sfidat me të cilat ballafaqohet shteti më i ri në botë.

"Kosova ballafaqohet me shkallë të lartë të papunësisë dhe me një strukturë të dobët të eksportit. Zgjidhja e këtyre problemeve mund të arrihet duke zhvilluar tutje ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, që janë bosht i zhvillimit të gjithëmbarshëm ekonomik, si dhe përmes tërheqjes së investimeve të huaja".

Ministri Zharku dhe udhëheqësi i zyrës së APIK-ut në Vjenë, Kujtim Dobruna, në takime të veçanta me investitorët potencial nga regjioni i Bavarisë, shpalosën kushtet dhe mundësitë e investimeve në Kosovë, duke i ftuar investitorët gjermanë që në një të ardhme të afërt të vizitojnë Kosovën për të parë nga afër mundësitë që ofron vendi ynë. /Telegrafi/