Telegrafi

Ministri zbaton urdhrin e kryeministrit, kërkon nga Policia të aplikojë masa lehtësuese në pikat kufitare

Ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, ka zbatuar urdhrin që i ka dhënë nga kryeministri Ramush Haradinaj, për ndërmarrjen e masave lehtësuese të procedurës së udhëtimit në pikat kufitare me Serbinë dhe Shqipërinë.

Gashi, përmes një postimi në Facebook, thotë se Policia Kufitare do të reduktojë në minimum procedurat e përditshme për bashkatdhetarët, ndërsa ka përmendur dhe shtimin e numrit të zyrtarëve policorë kufitarë.

Postimi i plotë i Gashit:

“Me qëllim të përshpejtimit të procedurave në vendkalimet kufitare, Ministria e Punëve të Brendshme përmes Policisë Kufitare do të zbatoj masa lehtësuese të kontrollimit të dokumenteve.

Policia Kufitare do të reduktoj në minimum procedurat e përditshme të kontrollit për bashkëatdhetarët tanë në pikat e kalimit kufitar me Republikën e Kosovës. Varësisht nga nevoja do të rritet edhe numri i zyrtarëve policor kufitar, do të vendosen pika shtesë të kontrollit si dhe do të merren masa tjera në mënyrë që të lehtësohen procedurat dhe pritjet e paarsyeshme të bashkatdhetarëve tanë në kufi, veçanërisht në pikat kufitare: Dheu i Bardhë, Morinë dhe Merdare, si pika kufitare më të frekuentuara gjatë sezonit veror”, ka shkruar ministri Gashi. /Telegrafi/

Lexo po ashtu Haradinaj kërkon eliminimin e pritjeve në pikëkalimet kufitare me Serbinë