Ministria e Administratës Publike (MAP) ka finalizuar procesin e hartimit të Planit të Veprimit për zbatimin e Strategjisë për Modernizimin e Administratës Publike. Plani ka kaluar edhe fazën e konsultimeve publike dhe ndër-ministrore dhe në ditët në vijim pritet miratimi nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Strategjia për Modernizimin e Administratës Publike (SMPA) 2015-2020 përqendrohet në arritjen e rezultateve për sa i përket shërbimit civil, menaxhimin e burimeve njerëzore, ofrimin e shërbimeve publike administrative dhe llogaridhënien në administratën publike.
Me qëllim që të këtë koordinimin më të madh të institucioneve për zbatimin e Planit të Veprimit për SMAP, MAP ka organizuar sot një takim pune me akterët kryesore institucional, për të diskutuar për objektivat, treguesit dhe aktivitetet e planit të veprimit, në mënyrë që secili institucion të ketë të qartë përgjegjësinë që ka në kuadër të planit të veprimit.
Në këtë takim Ministri Yagcilar ka kërkuar mobilizim më të madh të institucioneve për zbatimin e Strategjisë për Modernizimin e Administratës Publike. Gjatë takimit u diskutua edhe për komentet e Komisionit Evropian për raportet e zbatimin e strategjive kornizë për reformën e administratës publike dhe u dakordua që Sekretariati për Reformën e Administratës Publike do të punoj më një grup të ekspertëve për të siguruar se komentet janë adresuar.
Ministri Yagcilar gjatë këtij takimi theksoj, se zbatimi i strategjisë për modernizimin e administratës publike ka për qëllim të krijojë kushte që administrata shtetërore e Republikës së Kosovës të jetë e orientuar kah plotësimi i kërkesave dhe nevojave specifike të qytetarëve dhe bizneseve dhe që të punojë në interes të tyre.
Ai tha se synimet e Ministrisë së Administratës Publike, janë që të reduktohen barrierat procedurale dhe administrative, të ulet kosto dhe koha e shpenzuar gjatë marrjes së shërbimeve publike-administrative nga ana e qytetarëve. /Telegrafi/