Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka deklaruar se në Kosovë ende nuk është konfirmuar asnjë rast i prekur me coronavirus.
“Akoma nuk kemi asnjë rast të identifikuar dhe diagnostikuar me coronavirus në vendin tonë”, ka deklaruar Vitia.
Ministri Vitia ka shtuar se Ministria e Shëndetësisë menjëherë pas shpalljes nga Organizata Botërore e Shëndetësisë për situatë epidemike pas përhapjes së coronavirust, ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme.
Vitia ka thënë se Ministra e Shëndetësisë ka siguruar menjëherë rreth 100 mijë doza të vaksinave, transmeton Telegrafi.
“Janë siguruar rreth 100 mijë doza të vaksinave. Masat e ndërmarra deri tash janë koordinuar me zyrën e OBSH-së në Kosovë”, ka thënë Vitia.
Vitia ka shtuar se kontrolle nga ana e stafit mjekësor po kryhen edhe në Aeroportin e Prishtinës dhe në pikat kufitare.
“Prishtina fatmirësisht nuk ka linjë ajrore drejtpërdrejtë me Kinën dhe personat që vijnë nga Kina e që janë një numër modest, shfrytëzojnë aeroportin e Stambollit fillimisht ku edhe ju nënshtrohen kontrolleve, e pastaj arrijnë në Kosovë. Në Aeroportin e Prishtinës dhe pikat kufitare janë shpërndarë fletë udhëzime për qytetarët që hyjnë në ato pika në Kosovë, për tu informuar se si duhet raportuar për coronavirus nëse veç kanë ndonjë simptomë”, ka thënë Vitia.
“Një nga repartet e Klinikës Infektive është përgatitur për rastet që izolohen, e që ka 25 shtretër. Varësisht nga nevoja, repartet në SHSKUK edhe mund të zgjerohen”, tha ai.
Vitia foli edhe për karantinat të cilat janë të nevojshme për qytetarët të rast të përhapjes së coronavirusit, me ç’rast tha se në rast se përhapet ky virus, është propozuar që karantina të bëhet në Parkun e Biznesit në Prizren, e po ashtu në Vranidoll.
Këto komente mistri Vitia i bëri gjatë raportimit para Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale. /Telegrafi/