Tërmeti që goditi Turqinë në orët e hershme të së hënës, shkaktoi dëme serioze në infrastrukturën energjetike në qytetin turk Kahramanmarash, tha ministri turk i Energjisë dhe Burimeve Natyrore, Fatih Donmez.
Tërmeti me magnitudë 7.7 ballë ndodhi në qarkun Pazarcik në qytetin Kahramanmarash dhe ka prekur gjithashtu disa qytete fqinje. Numri i jetëve të humbura deri më tani ka arritur në 4,300 dhe rreth 20 mijë janë të plagosur.
“Dëme janë shkaktuar në linjat e transmetimit të energjisë elektrike si dhe në linjat e transmetimit dhe shpërndarjes së gazit natyror”, tha Donmez.
Ai konfirmoi se dëmtimi i linjës kryesore të transmetimit të gazit natyror në qarkun Turkoglu të Kahramanmarashit afër epiqendrës, ishte një nga infrastrukturat më të dëmtuara.
“Kjo është linja jonë kryesore e transmetimit që transporton gazin natyror në Gaziantep, Hatay dhe Kilis, veçanërisht në Kahramanmarash. Mund të ketë ndërprerje në këto provinca”, shtoi ai.
Ekipet po punojnë për riparimin e linjave të dëmtuara, tha ai, duke shtuar se rreth 30 nënstacione që i përkasin Transmetimit të Energjisë Elektrike (TEIAS) pësuan dëmtime në shkallë të ndryshme.
“Kemi dërguar termocentrale mobile në rajon. Veçanërisht, do të përpiqemi të furnizojmë me gaz natyror dhe energji objektet si spitale, kuzhinat dhe furrat e bukës, si me metodën e transportit të gazit natyror të kompresuar (CNG) ashtu edhe me gjeneratorë mobil”, përfundoi ai. /AA/