Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka bërë të ditur se nuk është njoftuar në lidhje me ftesat për intervistim të të akuzuarve dhe dëshmitarëve potenciale nga Gjykata Speciale.
Sipas Tahirit, nuk është obligim i kësaj gjykate që ta njoftojë Ministrin e Drejtësisë në lidhje me intervistimet.
“Nuk kam prit, nuk jam informuar, e as nuk pres të informohem për punën e tyre. Nuk është punë e Ministrit të Drejtësisë që të informohet nga prokurorët në Kosovë e as ndonjë prokuror me mandat tjetër. Gjykata Speciale i kanë partner policinë, gjyqësorin dhe mua në kuadër të kompetencave qe i kemi. Ata janë prokurorë me një mandat të caktuar dhe nuk pres si ministër, si person politik, të njoftohem se kush do të intervistohet, qoftë në cilësinë e dëshmitarit qoftë si i akuzuar”, tha Tahiri në Info Magazine të Klan Kosovës .
Tahiri bëri të ditur se deri më tani nuk ka pranuar ndonjë kërkesë për ekstradim të dikujt që lidhet me krimet e pretenduara të Gjykatës Speciale.
Ai gjithashtu njoftoi se në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë është themeluar një zyre e veçantë në lidhje me të akuzuarit potencialë të Gjykatës Speciale.
“Republika e Kosovës në bazë të dy ligjeve për themelimin e Gjykatës Speciale ka marrë përsipër mbrojtjen e personave potencialisht të akuzuar nga kjo gjykatë dhe mbulimin financiar të vizitave të familjarëve të tyre në Holandë. Kam themeluar një zyrë, aktualisht përbëhet nga katër persona, e cila do të marrë përsipër implementimin e përgjegjësive ligjore”, tha ai.
Sa i përket dialogut Kosovë-Serbi dhe funksionalizimit të Gjykate Speciale, Tahiri tha se këto janë dy procese me mandate të ndryshme dhe se janë të ndara plotësisht.