Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, në shoqëri të sekretarit të përgjithshëm të MKRS-së, Ibër Alaj, kanë vizituar sot kampin e Dardanëve, ku janë pritur nga presidenti Agim Ademi me bashkëpunëtorë.
Me këtë rast presidenti Ademi e uroi ministrin Çeku për detyrën e marrë dhe shprehu bindjen se bashkëpunimi ndërmjet dy institucioneve do të jetë në nivelin më të lartë, ashtu siç ishte edhe me ministrat e tjerë.
Me qëllim të përmbylljes së projekteve të përbashkëta dhe investimin në projekte të reja me qëllim të përmirësimit të mëtejmë të infrastrukturës sportive në vend.
Në anën tjetër, ministri Çeku uroi presidentin Ademi për një fillim të mbarë të kualifikuese për Botërorin 2022, derisa theksoi se MKRS do t’i qëndrojë përkrah FFK-së dhe në përgjithësi organizatave sportive.
Kujtojmë që gjatë ditës kampin e Përfaqësueses së Kosovës e vizitoi edhe i pari i Qeverisë, Albin Kurti.
/Telegrafi/