Policia kroate në kufirin me Slloveninë të hënën ktheu Ministrin e Brendshëm të Sllovenisë, Ales Hojs dhe nënën e tij.
Ata u përpoqën të kalonin kufirin në një nga pikat kufitare në Istria, por ata nuk i plotësuan kushtet për hyrjen e të huajve në Kroaci, shkruan portali slloven 24ur.
Ales Hojs arriti në kufi me nënën e tij, por atyre iu desh të ktheheshin në shtëpi sepse, siç shkruan i njëjti portal, “Sllovenia nuk njoftoi ardhjen e asnjë ministri”, transmeton Telegrafi.
Ata shtojnë se policia kroate nuk specifikoi nëse Hojs u përpoq të kalonte kufirin me një pasaportë diplomatike.
Hojs konfirmoi se ishte kthyer nga kufiri si një qytetar i zakonshëm, duke shtuar se nuk kishte treguar pasaportën diplomatike.
Ai shton se nuk ka shkelur rregulloret sllovene për kufizimin e lëvizjes midis rajoneve sepse ai kohët e fundit bleu një pronë në Koper. /Telegrafi/