Site icon Telegrafi

Ministri shqiptar i Mbrojtjes në Zagreb: E vlerësojmë mbështetjen që Kroacia i jep Kosovës

Ministri shqiptar i Mbrojtjes Niko Peleshi zhvilloi një vizitë zyrtare në Zagreb, me ftesë të Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Mbrojtjes të Kroacisë, Ivan Anushiq.

Qëllimi i vizitës është intensifikimi i marrëdhënieve dypalëshe midis dy vendeve, me theks të veçantë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, adresimi i çështjeve aktuale të rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë, bashkëpunimi në kuadër të NATO-s dhe iniciativave të tjera rajonale dhe ndërkombëtare.

Peleshi u shpreh se, “Shqipëria dhe Kroacia janë bashkudhëtare në një nga rrugëtimet më të rëndësishme, anëtarësimin në NATO e që këtë vit dy vendet shënojnë 15 vjetorin në NATO, duke qenë krenarë për pozicionin tonë në përmbushjen e detyrimeve për paqen dhe sigurinë tonë të përbashkët”.

Më tej Ministri shprehu mirënjohjen e tij ndaj Kroacisë, për rolin e saj të rëndësishëm në Ballkan, për mbështetjen e pakushtëzuar që i ofron vendeve të rajonit në të gjitha proceset integruese euro-atlantike, duke theksuar këtu dhe kontributin e saj për një rajon të sigurt, pa konflikte dhe në paqe.

Ministri Peleshi vlerësoi qasjen e vazhdueshme pozitive të Ministrisë së Mbrojtjes së Kroacisë ndaj Kosovës, si një mbështetëse e saj në perspektivën evropiane, në anëtarësimin në të gjitha iniciativat rajonale dhe organizatat ndërkombëtare në të cilat Kosova ka kapacitetet për të kontribuar dhe për të luajtur një rol të rëndësishëm.

Ministri Peleshi njohu homologun e tij kroat me angazhimet për vitin 20024, një vit shumë impenjativ për Ministrinë e Mbrojtjes së Shqipërisë, pasi mirëpret organizimin e disa aktiviteteve të rëndësishme rajonale në vendin tonë, si dhe kryesimin e një prej iniciativave më të rëndësishme të rajonit siç është SHBA –Karta e Adriatikut (A 5).

Gjatë kësaj vizite, dy ministrat e mbrojtjes nënshkruan një Memorandum të ri Bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, risia e të cilit lidhet me përditësimin e këtij dokumenti me sfidat e reja, përfshirjen dhe identifikimin e fushave të reja të bashkëpunimit në lidhje me inovacionin dhe kibernetikën, industrinë e mbrojtjes, trajnimet dhe edukimin dhe shumë fusha të tjera me interes të përbashkët për Forcat tona të Armatosura.

Gjatë kësaj vizite, Ministri i Mbrojtjes Peleshi u prit në takime të veçanta nga Presidenti i Republikës së Kroacisë, Zoran Milanoviq dhe kryeministri Andrej Plenkoviq.

Ministri Peleshi i njohu dy krerët e shtetit kroat me zhvillimet e fundit politike në Shqipëri si dhe me reformat e ndërmarra së fundmi në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Edhe në bisedë me Presidentin dhe Kryeministrin, ministri Peleshi shprehu edhe njëherë mirënjohjen për mbështetjen që Kroacia ka ofruar gjithmonë për integrimin e Shqipërisë, por dhe në rolin që ajo luan për sigurinë dhe paqen e Ballkanit Perëndimor.

Exit mobile version