Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi kërkon që secili qytetarë që ka marrë dy vaksina duhet me patjetër që të marrë edhe dozën e tretë.
Ai i tha se ekziston mundësia që edhe personat që kanë marrë tri doza të ri-infektohen me COVID-19, mirëpo e kalojnë më lehtë.
“Nëse dikush është vaksinuar me dy doza duhet ta marrë edhe dozën përforcuese. Unë e kam marrë edhe vet. Secili duhet ta marrë edhe vaksinën e tretë. Edhe ata që kanë marrë vaksinën mund të sëmuren. Vaksina nuk është 100% në të gjitha rastet, por nëse riinfektohesh megjithatë do të kalojë më lehtë sesa mos të jesh i vaksinuar”, u shpreh Latifi për EO.
Edhe nëse vazhdon të rritet numri i rasteve, ai shprehet i bindur se institucionet shëndetësore kanë me bollëk vaksina, oksigjen e shtretër. Kur foli për pasojat që lë virusi, Latifi tha se ndonëse nuk dihen saktë, mushkëritë janë më të atakuarat.
“Kemi mjaft vaksina, oksigjen shtretër për pacientë. Ne nuk i dimë pasojat e gjata të Omicron. Ne i dimë pasojat që Covidi ka lënë. Është një grup i njerëzve që mund të kenë pasoja në mushkëri”, tha ministri.
Ai thotë se me të gjitha dikasteret e qeverisë dhe ministritë duhet të marrin masat e përbashkëta, edhe sa i përket mbylljes ose jo të shkollave.
Sipas tij, është e rëndësishme ruajtja e shëndetit mendor të fëmijëve, duke shtuar se nëse mbyllen shkollat duhet të mbyllen të gjitha aktivitet e tjera.
“Fokusi i ministrisë është se me të gjitha dikasteret e qeverisë edhe ministritë t’i planifikojmë dhe të marrim masat e përbashkëta. Kujdesi ndaj fëmijëve është ndër më të rëndësishmit që ne mund të bëjmë ne vendin tonë.
Veçmas duhet ta ruajmë aftësinë që fëmijët të shkollohen, por edhe shëndetin mendor të tyre. Secila shkollë e komunë do të bisedojnë për masat që duhet marrë. Tash për tash do ta koordinojmë me Ministrinë e Arsimit.
Unë nuk besoj se duhet të mbyllen shkollat. Nëse mbyllim shkollat duhet të mbyllim të gjitha aktivitet e tjera. Shkollat janë të fundit që duhet të mbyllen, por duhet të marrim masa që në shkollë fëmijët të jenë të sigurt të vaksinuar”, tha Latifi.