Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala ka inspektuar dyqanin e Qendrës Tregtare ETC ku dërgoi mesazh të qartë se kushdo që i shet pije alkoolike të miturve do të dënohet në bazë të kompetencave që ka inspektorati, ku dënimet përfshijnë si individin, ashtu dhe dyqanet.
“Në mungesë të implementimit të ligjit në tërësi për mbrojtjen e konsumatorit, respektivisht nenit 15, që e përcakton që duhani dhe pijet alkoolike janë të ndaluara të shiten dhe të shërbehen për të miturit nën moshën 18 vjeçare, unë dje kam marrë një urdhëresë me të cilin kam urdhëruar Inspektoratin e Tregut të MTI-së, që të implementohet në përpikmëri ligji. Vizita ime ka të bëj me zbatimin e këtij ligji në kompaninë “Elkos”, e cila e respekton këtë ligj dhe unë i falënderoj dhe i sigurojë qytetarët e Kosovës, që në bashkëpunim me inspektoratet komunale, do t’i rrisim inspektimet në të mirë të konsumatorit”, ka theksuar ministri Shala.
Ai theksoi se përveç pijeve alkoolike, inspektimi përfshin dhe ekspozimin e kutive të duhanit dhe shitjen e tyre personave nën 18 vjeç.
Ndërsa, kryeinspektori i MTI-së, Lulzim Syla tha se nuk kanë kuadro të mjaftueshme të inspektorëve për mbikëqyrje të të gjitha pikave shitëse. Mirëpo, sipas tij, ata do të bashkëpunojnë me inspektorët komunalë.
Selvete Abazi nga “Elkos” ka thënë se ky vendim është i mirëpritur dhe do ta respektojnë në tërësi. /Telegrafi/