Para përfaqësuesve të Bankës Botërore në Kosovë, Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala tha se taksa prej 100 për qind e vendosur nga Kosova për produktet e Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës, do të mbetet në fuqi.
Ai deklaroi kështu gjatë konferencës për media të mbajtur lidhur fillimin e zbatimit të projektit të financuar nga Banka Botërore-CERP, që ndihmon bizneset të eksportojnë në tregjet e huaja.
“Qeveria e Republikës së Kosovës është sovrane, e pavarur, vendimet i merr vet, taksa do të vazhdojë të jetë në fuqi. Prej momentit kur Kosova është anëtarësuar sekretari i CEFTA-s i ka të gjitha ankesat që i ka dorëzuar MTI-ja sa i përket barrierave me të cilat janë ballafaquar bizneset e Kosovës”, tha Shala.
Ai sheh mundësi reale që projekti t’u ndihmojë ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në aftësitë eksportuese, që të jenë më të konkurrueshëm në tregun rajonal.
“Ky projekt i ka brenda vetes tri komponente, rritja e aftësive dhe e mundësive të ndërmarrjeve tona për eksport, përmirësimi i infrastrukturës së cilësisë së prodhimeve të ndërmarrjeve tona të Kosovës, ky projekt e krijon infrastrukturën kombëtare të cilësisë dhe reformimi i sistemeve të inspekcionit”, tha Shala.
Aktualisht sipas tij, bizneset eksportuese nuk mund t’i përdorin raportet e testimit nga laboratorët e brendshëm apo certifikatat nga organizmat e brendshëm certifikuese të produkteve kur ata i eksportojnë prodhimet e tyre.
Mario Guadamillas drejtor për Financa dhe Konkurueshmëri në Bankën Botërore, i cili po viziton Kosovën për herë të parë, u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që të vazhdojnë dinamikën e zbatimit të këtij projekti.
“Kosova ka bërë një progres të madh në reformat e të bërit biznes, Kosova në rangimin e të bërit biznes është përmirësuar nga renditja 117 në vitin 2012 në pozitën 44 në raportin e fundit. Është me rëndësi që të mbahet ky hap i reformave dhe kjo demonstron përkushtimin e lartë të Kosovës për t’u dërguar sinjale pozitive investitorëve potencial”, tha Guadamillas.
Ai ka përmendur se eksportet janë duke u penguar për shkak të certifikatës së cilësisë për shkak të mungesës së njohjeve të këtyre dokumenteve, duke shtuar se projekti ka për qëllim që të fuqizojë aftësinë e Kosovës për të promovuar bizneset. /Telegrafi/