Site icon Telegrafi

Ministri Shala inspekton marketet, në kërkim të mallrave të kontrabanduara nga Serbia

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, bashkë me Inspektoratin ka dalë në terren për të inspektuar pikat shitëse ushqimore me qëllim të verifikim dhe kontrollit në atë fushë që e mbulon MTI-ja .

Ministri e ka lënë në dorën e mediave të vendosin se ku do të kryhen inspektimet me qëllim të transparencës.

“Pas shumë shqetësimeve nga qytetarët, mediat por edhe deputetët se në tregun e Kosovës edhe pas vendosjes së taksës prej 100%, po vazhdojnë të jenë ende në qarkullim produkte nga këto dy vende, sot kam vendosur që të bëjmë inspektime të jashtëzakonshme dhe pikat e inspektimit  do t’i përzgjedhin gazetarët. Do të inspektohen pikat shitëse ushqimore, me qëllim që të heqim secilin dyshim se në treg potencialisht mund të ketë mallra të konrabanduara. Deri me tash kemi kryer mbi 1,000 inspektime dhe nuk kemi gjetur raste me të cilat mundemi ma ardhur në përfundim që ka mallra në kundërshtim me ligjet në fuqi”, tha ministri Shala.

Shala ka theksuar se pas inspektimeve që u bënë në terren, e që përzgjedhjen e bënë mediat, u kërkuar nga kompanitë që t’i sjellin dokumentet e produkteve me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, për ta vërtetuar se a janë në rregull ligjërisht.

Ministri ka thënë se edhe në javët e ardhshme do të vazhdojë inspektimi edhe tek operatorët tjerë.

“I inspektuam tri pika shitëse në Komunën e Prishtinës, të përzgjedhura nga mediat, me qëllim të zbatimit Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit, Udhëzimit Administrativ për Vendosjen e Flamujve të origjinës dhe njëkohësisht për kontrollimin e produkteve që e kanë masën 100 për qind. Ashtu siç e patë edhe ju, kemi kërkuar nga kompanitë të na pajisin me dokumentacione për produkte që hyjnë nga Serbia dhe Bosnja se kur këto produkte janë importuar në Kosovë. Po ashtu e pamë një përkushtim të shoqërive tregtare për vendosjen e flamujve të vendit të origjinës”.

“Hasëm në disa probleme me të cilat inspektorati do t’i merr masat me ligj, atu kush është hasur që nuk është zbatuar ligji. Me këto inspektime do të vazhdojmë në mënyrë permanente edhe nëpër shoqëritë të tjera tregtare, siç janë pikat shitëse të karburanteve, dhe do të vendosim së bashku për kontrolle. Krejt kjo po bëhet me qëllim të mbrojtjes së konsumatorit”, tha ministri Shala. /Telegrafi/

 

 

 

Exit mobile version