Ministri i Tregtisë së Brendshme dhe të Jashtme në Qeverinë e Serbisë, Tomislav Momiroviq, sot u ka dërguar një tjetër letër të gjithë ministrave të tregtisë së Bashkimit Evropian, Britanisë së Madhe, SHBA-së dhe CEFTA-s.
Në letrën e tij, theksojnë mediat në gjuhën serbe, përcjell Telegrafi, ai rikujton edhe njëherë se ndalimi i tregtisë së produkteve serbe në territorin e Kosovës është ende në fuqi, kanë bërë të ditur Qeveria e Serbisë.
Siç theksohet më tej, bëhet fjalë për të njëjtin paralajmërim që ai po e dërgon për herë të tretë në më pak se një vit, aq sa ka ndalimi i autoriteteve të Kosovës, i vendosur në qershor të vitit të kaluar pas rrëmbimit të tre policëve të Kosovës nga serbët.
Sipas mediave në gjuhën serbe, ministri serb tani ka theksuar se kjo lloj, siç tha ai, “politikë kriminale” është zgjeruar kohëve të fundit edhe në formë të “agresionit ekonomik”, duke iu referuar çështjes së dinarit në Kosovë.
“Të gjithë ata që tolerojnë veprime të tilla, të ashtuquajturit Autoritetet e Kosovës duhet të jenë të vetëdijshme se po bëhen bashkëfajtorë në një krim të madh kundër popullit serb, në shkaktimin e qëllimshëm të krizës humanitare, sepse popullata serbe në Kosovë varet nga produktet ushqimore bazë që dërgohen nga Serbia”, ka pretenduar ministri serb.
Sipas tij, ky lloj, siç e konsideron ai, “presion i paparë ekonomik – devijon plotësisht nga të gjitha standardet evropiane të qarkullimit të lirë të njerëzve dhe mallrave”. /Telegrafi/