“Nëse presidenti Aleksandar Vuçiq nuk e zgjidh çështjen e Kosovës, unë nuk e di se çfarë është perspektiva jonë, sepse me këtë ‘shkëmb në shpinë’, ne nuk mund të ecim përpara”.
Kështu, siç shkruajnë mediat serbe, përcjell Telegrafi, ka thënë ministri i Shëndetësisë i Serbisë, Zlatibor Lonçar.
“Nuk jam ekspert për këtë, por perspektiva nuk është e qartë për ne. Është si një lak rreth qafës. Prandaj, kjo çështje duhet të zgjidhet”, citohet të ketë thënë ai.
Lonçar ka thënë se gjëja më e rëndësishme është të investojë në paqe, sepse sipas tij, pa paqe gjithçka që bëhet për të përmirësuar ekonominë dhe standardet e qytetarëve nuk do të ketë efekt.
Ndërkohë, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar se nuk e përjashton mundësinë e njohjes së pavarësisë së Kosovës, por ka potencuar se Beogradi duhet të fitojë diçka si kundërshpërblim.
“Para së gjithash ekziston mundësia për kompromis. Nuk mund ta njohim Kosovën, e të mos fitojmë diçka nga pala tjetër”, ka thënë Vuçiq, në një intervistë për agjencinë italiane ANSA.
Siç transmetojnë mediat serbe, Vuçiq ka thënë se çështja e ndryshimit të kufijve është një temë kontravrese, pasi që nuk i njohin të gjithë kufijtë e njëjtë, varësisht nga ajo nëse e kanë njohur Kosovën ose jo.
Ai ka mohuar se ka pasur ndonjëherë takime sekrete me presidentin Thaçi, siç pohojnë disa media, dhe i ka përshkruar si “rrenë e kulluar” pretendimet e ekzistimit të një drafti të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë.
Gjithsesi, Vuçiq ka përsëritur se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë nuk do të vazhdojë derisa Qeveria e Kosovës nuk e tërheq taksën prej 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës. /Telegrafi/