Site icon Telegrafi

Ministri Selimi: Kosova është e përgatitur për dialogun Kosovë-Serbi

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi ka folur sot për dialogun Kosovë-Serbi dhe takimin që pritet të mbahet më 4 shtator në Uashington.

Selimi gjatë një konference për media tha se qëllimi i Kosovës është që të arrihet një marrëveshje përfundimtare me njohje reciproke në kufijtë ekzistues.

“Sa i përket temave në Uashington kemi pasur paralajmërim që do të ketë tema të zhvillimit ekonomik, por delegacioni i Kosovës i ka pozicionet e përgatitura në çështjet të cilat do të diskutohen me Serbinë. Qëllimi ynë është që ta kemi një marrëveshje përfundimtare për njohje reciproke në kufijtë ekzistues. Për shkak të konfidencialitetit nuk mund të hyj në detaje”, ka thënë ministri Selimi.

I pyetur se kush do të jetë pjesë e delegacionit, ai tha se ende nuk kanë marr informacion nga Kryeministri Hoti se kush do ta shoqëroj atë në këtë takim.

“Listën e personave që udhëton në Amerikë, më 4 shtator e cakton kryeministri Hoti, dhe presim që sot ose nesër të na lajmërojnë se kush do të jetë pjesë e këtij delegacioni që e shoqëron kryeministrin Hoti atje”, ka thënë Selimi. /Telegrafi/

Exit mobile version