Telegrafi

Ministri Sali: Shëndeti nuk ka çmim, duhet përgjegjësi për çdo shërbim mjekësor

Pas deklaratës së Ministrit të Shëndetësisë në konferencën e djeshme për rastin e klinikës “Zhan Mitrev”, ku tha se nëse hemofiltrimi do të ishte 500 denarë, nuk do të ankoheshit, një numër i madh i komëntuesve kritikuan sjelljen e ministrit gjatë deklaratës.

Tashmë, pas reagimeve, ministri Sali ka sqaruar se pavarësisht 500 denarë ose 5 denarë qoftë një shërbim mjekësor, përgjegjësi duhet të ketë, dhe se kjo ishte ideja dhe qëndrimi i tij.

Ministri Sali ka shkruar në profilin e tij në Facebook se shëndeti nuk ka çmim.

“Të nderuar media dhe qytetarë, më lejoni t’ju shpjegoj se shëndeti juaj nuk ka çmim dhe pa marrë parasysh çmimin e shërbimit shëndetësor, qoftë 500 apo 5 denarë, duhet të ketë përgjegjësi. Kjo ishte ideja dhe qëndrimi im. Gjithçka tjetër është vetëm një interpretim”, ka shkruar ministri Sali në Facebook.

Theksojmë se dje në press konferencë, ministri tha se rasti me klinikën “Zhan Mitrev” do të zbulohet plotesisht, vetëm se duhet kohë e mjaftueshme që të bëhet hulumtimi i duhur.