Site icon Telegrafi

Ministri Rikalo nuk e votoi programin qeverisës të Haradinajt (Video)

Ministri i Bujqësisë në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rikalo, i cili po akuzohet nga opinion se torturoi shqiptarët gjatë luftës, nuk ka përkrahur programin e Qeverisë Haradinaj.

Edhe pse 20 ministra të tjerë të kabinetit qeveritar votuan pro programit qeverisës të Haradinajt, ishte vetëm Nenad Rikalo që nuk mendoi si ata dhe si shefi i Qeverisë dhe abstenoi në këtë votim.

Rikalo problemin nuk e kishte me programin, pasi ai tha se është i mirë, por shtoi se aty ka disa elemente për të cilat është dashur të diskutohen me Listën Serbe si partner, shkruan gazetametro.net.

“Program i mirë, ka potencial dhe në princip është diçka që i duhet çdo qytetari. Për kaq sa e kam studiuar këtë material ka detaje që si partner i koalicionit është dashur të diskutohen më herët por sidoqoftë do të diskutojmë në Kuvend”, ka thënë Rikalo.

Ndërkohë, ministri serb i Qeverisë së Kosovës, Rikalo, po vazhdon të ballafaqohet me kritika të ashpra nga opinion public. Madje, edhe është kërkuar dorëheqja e tij, pasi në media u raportua se ai kishte torturuar shqiptarë gjatë luftës, për çka u lajmëruan edhe disa dëshmitarë.

Ndryshe, Qeveria e Haradinajt miratoi sot programin qeverisës për 4 vitet e ardhshme, i cili u vlerësua lartë nga vetë ai por edhe nga ministrat.

Exit mobile version