Site icon Telegrafi

Ministri Peci përmend pronën e Institutit Bujqësor në lagjen Ulpiana, Bogaj: Objekti është privat

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci me anë të një video të ka thënë se objekti që është në lagjen “Ulpiana” në Prishtinë është pronë e Institutit Bujqësor të Kosovës.

Peci në reagimin e tij pretendon se janë ndërtuar lokale afariste kundërligjshëm dhe është bërë tjetërsimi i pronës.

““Për këtë objekt kam nënshkruar vendimin për lirimin e pronës shtetërore të uzurpuar, veprim administrativ ky i mbështetur në bazë ligjore”, ka njoftuar Peci.

Lexo po ashtu Peci: Nënshkrova vendimin për lirimin e pronës së Institutit Bujqësor të Kosovës në Prishtinë

Ndaj ministrit ka reaguar sot Yll Bogaj, i cili thotë se kjo pronë është private dhe tashmë është paditur Peci.

“Videoja shantazhuese e Faton Pecit, është vazhdimësi e shantazhit të tij publik që na është bërë tash e një vit të plotë. Për më tepër, kulmi i çdo gjeje ka qenë dje kur kemi pranuar një ‘Vendim’ të Faton Pecit, i cili në mënyrë krejtësisht arbitrare na kërkon që ta lirojmë pronën tonë legale brenda shtatë ditësh, nën kërcënimin e largimit tonë me forcë nga prona jonë private”, thuhet në reagimin e Bogajt në Facebook.

I pari i MBPZHR-së ka theksuar se ka denoncuar rastin në Prokurori por nuk është marrë asnjë veprim.

“Ftoj organet tjera kompetente në zbatim të këtij vendimi”, ka theksuar Peci.

Ditë më parë, ministri Peci kishte paralajmëruar rrënimin e 25 vilave në Stankaj të Pejës, që ka thënë se janë ndërtuar ilegalisht në pronat e Institutit Bujqësor të Kosovës./Telegrafi/

Exit mobile version