Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka bërë të ditur për herë të parë, se është duke përgatitur kallëzime penale për disa figura të LDK-së, përfshirë Lumir Abdixhikun.
Peci u shpreh se nuk ka gjykatë, nuk ka individ dhe as institucion që siç u shpreh ai, mund ta ndërlidh “me keqmenaxhimin e një centi”.
“Sistemi i drejtësisë e din, në Kosovë mes tjerash, korrupsioni aq i madh ka qenë në sektorin e bujqësisë, sa nuk mund ta imagjinosh”.
“Nuk ka gjykatë, nuk ka individ, nuk ka institucion që mund të më ndërlidh mua me keqmenaxhimin e një centi”.
“Jam në proces të mbledhjes së informacioneve dhe një nga një do t’i denoncoi. Nuk e përjashtoi mundësinë deri tek Lumir Abdixhiku, krejt ata që janë të involvuar në këtë zinxhir”, u shpreh Peci, në “DPT te Fidani” në Klan Kosova.
100 mijë euro grant nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, i përfitoi edhe vëllai i deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacollit, e cila njëherësh është kryetare e Komisionit për Bujqësi në Kuvendin e Kosovës.
Po ashtu gjatë ditës së djeshme u bë e ditur se në mesin e përfituesve është edhe daja i saj.
Ministri Peci dha sqarime lidhur këto dyja rastet.
Ai tha se nuk ka pasur asnjë ndërhyrje nga ana e tij në asnjë rast tek përcaktimi i përfituesve.
Peci tha se bile ndërhyrja paraqet konsumim të veprës penale.
“Kjo është logjika që po ju flet ndërdija, për shkak se në të kaluarën ministri dhe zyrtarët të cilët ata përfitojnë kanë shkuar përmes filtrit të kabinetit të ministrave”, tha Peci.
I pari i MBPZHR-së sqaroi edhe dy raste të tjera drejtpërdrejtë në këtë emision, atij të këshilltarit të jashtëm, Naim Huruglicës, dhe një personi tjetër të afërt, Bahtijar Berishës.
Ndryshe, Forumi i Rinisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës ka dorëzuar sot kallëzim penal ndaj ministrit të Bujqësisë, Faton Peci dhe deputetes së LVV-së, Fitore Pacolli.
Kryetari i Forumit, Paris Guri, ka thënë është e papranueshme që familjarët e deputetes të marrin grante në vlerë prej 100.000 euro.
“Pas skandalit të zbuluar që Fitore Pacolli, përmes lidhjeve të saja që janë të dukshme me ministrin Peci, ia ka ndarë 100.000 euro vëllait të saj, e dje u zbulua edhe skandali tjetër se pos vëllait ia ka ndarë edhe dajës së saj edhe 100 mijë euro të tjera”, ka thënë Guri.