Site icon Telegrafi

Ministri Peci paditet për fyerje dhe shpifje nga ish-drejtori i Institutit Bujqësor

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci është paditur për shpifje nga ish-drejtori i Institutit Bujqësor të Kosovës, Fehmi Geci.

Kjo është bërë e ditur nga vetë Geci, i cili ka ushtruar padi me pretendimet se Peci e ka fyer atë si dhe ka shpifur në drejtim të tij.

Në padinë e dorëzuar dje në Gjykatën Themelore të Prishtinës, thuhet se ministri Peci më 12 shtator 2024 në foltoren e Kuvendit të Kosovës duke iu përgjigjur pyetjes së deputetes Mirlinda Tishkuaj-Sadiku, ka shpifur dhe fyer personalitetin e Fehmi Gecit.

Në padi thuhet se Peci ka deklaruar se “Projekti për inventarizimin e tokave bujqësore me vlerë prej 1.4 milion euro është një ndër projektet më abuzive dhe flagrante që unë kam gjetur në Ministrinë e Bujqësisë., ….. si rezultat i veprimeve që unë i kam ndërmarrë si ministër, por edhe mekanizmat e drejtësisë, aktualisht ish-drejtori i Institutit Bujqësor është i suspenduar dhe me aktakuzë të ngritur, e bashkë me të edhe 3 zyrtarë të tjerë, për shkak të abuzimit flagrant që kanë bërë me këtë projekt”.

Tutje në padi theksohet se e njëjta deklaratë është shpërndarë në ueb-faqen e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Deklaratat e dhëna nga i padituri të përshkruara më lartë, bien ndesh me Ligjin Nr. 02/L-65 Civil Kundër Shpifjes dhe Fyerjes, pasi që si rezultat I kësaj deklarate të pa bazuar në fakte dhe prova, i padituri i ka shkaktuar dëm të pariparueshëm emrit të mirë dhe imazhit të paditësit, si dhe reputacionit të zyrtarit dhe qytetarit të ndershëm që njihet në vendin ku jeton dhe punon, imazh ky që është ndërtuar me punë të zellshme e të mundimshme nga përvoja e tij shumëvjeçare në institucione të ndryshme”. /Telegrafi/

Exit mobile version