Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci me ftesë të homologut të tij bullgar, Yavor Gechev, po merr pjesë në takimin e lartë rajonal me temën “Takimi Ballkanik mbi Sfidat Rajonale të Sigurisë Ushqimore në kohë krize”.
Përmes një postimi në Facebook, Peci ka bërë të ditur se Gechev ka diskutuar rreth politikave të përbashkëta për sigurinë ushqimore dhe nevojën për thellim të bashkëpunimit.
“Me Ministrin Gechev diskutuam rreth politikave të përbashkëta për sigurinë ushqimore dhe nevojën për thellim të bashkëpunimit si me vendet e rajonit ashtu edhe me Bullgarinë konkretisht për përpjekje të përbashkëta për të vendosur ekuilibrin e duhur midis sigurisë ushqimore dhe objektivave mjedisore dhe klimatike”, ka shkruar ai.
Tutje, ka thënë se pas takimit janë pajtuar që ta zyrtarizojnë bashkëpunimin edhe përmes një Marrëveshje ndërshtetërore, e cila do të pasojë në të ardhmen. Po ashtu, Peci ka bërë të ditur se ministrin Gechev e ka ftuar që ta vizitojë Kosovën.
“Përpos prioritizimit të prodhimeve vendore të shportës sonë ditore, për ta pasuruar atë edhe më shumë, le të përkujdesemi që produktet që zgjedhim të jenë të vendeve mike”, ka përfunduar ai. /Telegrafi/